Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës ka përkrahur operatorët në procesin e financimit për blerjen e 15 autobusëve elektrikë dhe dy tramvajëve, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të transportit publik në kryeqytet.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka publikuar pamje të autobusëve të rinj, për të cilët tha se do të jenë modernë, të qasshëm për të gjithë qytetarët dhe plotësisht elektrikë.
“Sot përkrahëm operatorët në proces të financimit për 15 autobusë elektrikë dhe 2 Tram”, ka shkruar Rama.
Ai theksoi se mjetet e reja do të kontribuojnë në përmirësimin e shërbimeve të transportit publik dhe në avancimin e mobilitetit urban në kryeqytet.
“Kështu do të duken autobusët e rinj të Kryeqytetit. Modernë, më të qasshëm për të gjithë dhe mbi të gjitha 100% elektrikë”, është shprehur ai.
Rama ka përcjellë mesazhin se Prishtina do të vazhdojë me projektet zhvillimore dhe investimet në infrastrukturë.
“Prishtinën s’ka që e ndal!”, ka deklaruar Rama.

