Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka vazhduar edhe gjatë së premtes procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi përmes postës, të cilat deri më tani janë sjellë në Kosovë.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në përfundim të ditës së enjte, më 11 qershor 2026, në procesin e vlerësimit janë përfshirë rreth 42 mijë pako.
Nga to, janë aprovuar 40,414 pako, ndërsa janë refuzuar 1,447.
KQZ ka bërë të ditur se arsyeja kryesore e refuzimit të këtyre pakove lidhet me mungesën e dëftesës së regjistrimit. Në 1,320 raste, votuesit nuk e kanë bashkëngjitur këtë dokument, i cili përmban të dhëna unike dhe u dërgohet nga KQZ-ja personave të regjistruar për votim nga jashtë vendit.
Procesi i vlerësimit të pakove postare pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, deri në shqyrtimin e të gjitha dërgesave të pranuara.

