Anëtarësimi në NATO pas deklaratës së Rubios, xhandarmëria, dallimet me Osmanin për parakalimet e FSK-së, flet Ejup Maqedonci
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e ka vlerësuar si pozitive deklaratën e sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, lidhur me perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Maqedonci, i cili është edhe kandidat për deputet nga radhët e LVV-së në emisionin “Intervista Zgjedhore”, në KosovaPress, tha se fakti që Rubio e konsideron të mundshëm anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veriatlantike përbën një sinjal inkurajues për institucionet e vendit dhe aspiratat euroatlantike të Kosovës.
Duke komentuar pjesën e deklaratës ku Rubio kishte theksuar se anëtarësimi i Kosovës nuk është aktualisht në agjendën e NATO-s, Maqedonci tha se kjo lidhet më shumë me rrethanat brenda vetë aleancës dhe raportet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera anëtare.
“Vlerësoj që së pari është shumë e rëndësishme që kjo deklaratë të shihet nga këndvështrimi pozitiv. Për shkak që në atë deklaratë, Rubio e lë të hapur mundësinë, më saktësisht e sheh të mundshme faktin që Kosova do të jetë pjesë e NATO-s dhe, nëse kthehemi prapa, unë nuk besoj që ka shumë ose mund të mos ketë fare deklarata nga drejtues të Departamentit të Shtetit për mundësinë që Kosova të jetë pjesë e NATO-s, por është ndër deklaratat e rralla që vjen nga shefi i diplomacisë amerikane për mundësinë që Kosova të jetë pjesë e NATO-s. Kurse për arsyen që e thekson që s’është në agjendën aktuale të NATO-s, unë besoj që i referohet në fakt situatës brenda NATO-s, sidomos raporteve mes SHBA-ve dhe vendeve të tjera të NATO-s… Ne kemi bërë shumë hapa në fakt në shumë drejtime për të qenë pjesë e agjendës së NATO-s për pranimin e Kosovës si pjesë anëtare. Ne jemi duke zhvilluar kapacitetet mbrojtëse të Kosovës në përputhje me standardet e NATO-s. Në vazhdimësi ne komunikojmë me vendet anëtare të NATO-s, edhe unë si ministër i Mbrojtjes, edhe ministri i Punëve të Jashtme, edhe kryeministri. Në çdo takim e theksojmë rëndësinë që ka anëtarësimi i Kosovës në NATO për gjithë stabilitetin në Evropë edhe në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
Ai dha edhe detaje lidhur me funksionin dhe rolin që pritet të ketë xhandarmëria, strukturë e cila sipas tij, do të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Konkretisht do ta zërë atë zbrazëtirën operacionale mes ushtrisë dhe policisë. Dihet që policia ka detyra të kufizuara që i referohen kryesisht sigurisë publike, detyrave të përditshme. Dihet që policia ka edhe detyra që ndërlidhen me ndërrime, pra funksionon tetë orë, funksionon me ndërrime brenda 24-orëshit dhe dihet që ka edhe kufizime në aspektin e veprimeve taktike me njësi pak më të mëdha. Por, në anën tjetër, ushtria ka një mision më të ndryshëm. Pra, ushtria përgatitet për të qenë e aftë për të mbrojtur territorin e vendit kundër një invazioni të mundshëm me ushtri… Xhandarmëria do të jetë pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë gjithë kohës. Normalisht që Forca e Sigurisë së Kosovës edhe sot trajnon dhe përgatit Policinë e Kosovës për detyra që nuk janë tipike policore, por që janë të nevojshme të trajnohen nga ushtria e Kosovës. Pra, ne e trajnojmë Policinë e Kosovës, shumë grupe i kemi trajnuar, në detyra që janë më shumë tipike ushtarake, por që janë të ndërlidhura me punët policore”, shtoi ai.
Në anën tjetër, Maqedonci ka bërë të ditur se forcimi i kapaciteteve mbrojtëse do të mbetet një nga prioritetet kryesore në mandatin e ardhshëm qeverisës.
Ai duke folur për premtimet elektorale të LVV-së në zgjedhjet e 7 qershorit, tha se mbi 1 miliard euro do të investohen në sektorin e mbrojtjes, me fokus në blerjen e sistemeve të reja të armatimit, zhvillimin e infrastrukturës ushtarake, si dhe rekrutimin dhe trajnimin e personelit.
“Rritjen dhe fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës përmes investimeve. Mbi 1 miliard euro do të ndahen në mandatin e ardhshëm qeverisës për blerje të sistemeve të reja të armatimit, për investime në infrastrukturë, rekrutim dhe trajnim. Gjithashtu do të punohet në vazhdimësi për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes. Në dhjetor do të fillojmë prodhimin e municioneve të para në Kosovë, dy lloje të municioneve bazuar në kontrata. Për ne ka qenë shumë e rëndësishme që makineria të prodhohet fillimisht. Dhe kjo është duke u bërë, është në përfundim në Republikën e Turqisë. Sepse kompania MKE, me të cilën kemi bërë kontratë, është kompani që është në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, ai tha se Forca e Sigurisë së Kosovës tashmë ka nisur angazhimin e saj në kuadër të forcës stabilizuese ndërkombëtare në Gaza.
Ai tha se dy oficerët e parë të FSK-së tashmë janë dislokuar dhe janë pjesë e shtabit kryesor të misionit ndërkombëtar.
Sipas Maqedoncit, kontingjenti i Kosovës do të ketë rol në ofrimin e mbështetjes humanitare, mbështetjes në operacionet e sigurisë dhe në aktivitete trajnuese në kuadër të misionit.
“Ne tashmë kemi dislokuar pjesën e parë, më saktësisht dy oficerë që janë pjesë e shtabit kryesor të forcës stabilizuese ndërkombëtare në Gaza… Roli i pjesëtarëve të FSK-së, kontingjentit të FSK-së në kuadër të forcës stabilizuese ndërkombëtare, do të jetë që të ofrojë mbështetje humanitare, mbështetje në operacionet e sigurisë, mbështetje në trajnime dhe mbështetje në… Normalisht që ne po dërgojmë një trupë operacionale atje. Dihet që asnjë operacion ndërkombëtar nuk është operacion i lehtë dhe pa rreziqe. Mirëpo për ne ka qenë prioritare siguria e personelit. Kemi marrë të gjitha masat që të operojmë në një ambient ku siguria do të jetë relativisht e mirë. Mirëpo dihet që normalisht ka rreziqet e veta çdo mision ndërkombëtar… Thashë tashmë, ne kemi dislokuar, kemi zbarkuar me dy oficerët e parë. Në momentin që forca stabilizuese ndërkombëtare do të aprovojë apo do të kërkojë pjesën tjetër që t’i bashkëngjitet, ne do ta dërgojmë. Unë vlerësoj që kjo krejt ndërlidhet me një marrëveshje të mundshme mes Iranit dhe SHBA-ve që do ta përshpejtonte çështjen e zbarkimit”, shtoi ai.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në intervistën për KosovaPress, ka treguar se ka pasur qëndrime të ndryshme me presidenten Vjosa Osmani lidhur me organizimin e parakalimeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Maqedonci tha se ka qenë ndër ministrat që nuk e kanë mbështetur mbajtjen e parakalimeve ushtarake çdo vit, duke argumentuar se ato duhet të organizohen vetëm në përvjetorë jubilarë.
Sipas tij, përgatitjet për një parakalim kërkojnë muaj të tërë angazhimi nga FSK-ja, gjë që ndikon në operacionalitetin dhe proceset trajnuese të forcës.
Ai vlerësoi se në fazën aktuale të zhvillimit të FSK-së prioritet duhet të mbetet ngritja e kapaciteteve dhe trajnimet, e jo angazhimi i vazhdueshëm në aktivitete ceremoniale.
“Sa i përket parakalimit, unë kam qenë ndër ministrat që nuk kanë qenë në favor të parakalimeve. Unë vlerësoj që parakalimet duhet të bëhen në vite jubilare, jo çdo vit, së pari. E dyta, shpesh parakalimet pengojnë operacionalitetin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Sepse për t’u bërë një parakalim, duhen muaj të tërë përgatitjesh, angazhimesh të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ne jemi në një fazë ku na rritet trajnimi, na rritet puna e Forcës së Sigurisë së Kosovës në zhvillimin e saj. Dhe e fundit, parakalimet janë më shumë aktivitete që bëhen dhe vazhdojnë të bëhen në vendet kryesisht të ish-Bashkimit Sovjetik apo të ndikuara nga Bashkimi Sovjetik… Edhe unë gjithmonë kam qenë ndër ata që në komisionin qeveritar kam qenë dhe kam ngritur zërin, bashkë edhe me komandantin e FSK-së, edhe me Shtabin e Përgjithshëm, që parakalimet duhet të ristrukturohen në formatin që të bëhen vetëm në vite jubilare, pra në pesëvjetor, në dhjetëvjetor, në njëzetvjetor, pa pasur nevojë që të bëhen çdo vit… Normalisht se presidentja, duke qenë komandante supreme, merr vendimin përfundimtar. Ne propozojmë, paraqesim edhe mundësi të tjera, mirëpo ne nuk marrim vendim në këtë rast. Vendimi ka qenë nga ish-presidentja”, theksoi ai.
Po ashtu, ai tregoi nëse komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, që vjen nga familja Jashari, mund të propozohet si kandidat për president.
“Unë nuk kam informacione që Gjeneral Bashkim Jashari është propozuar apo i është ofruar kandidimi për president. Normalisht që gjenerali ka vazhduar dhe vazhdon të kryejë detyrën e tij. Nuk kemi pasur atë diskutim. Nuk përjashtojmë asnjë mundësi”, deklaroi ai.
Ai komentoi edhe deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për “komandantët zullumqarë”, duke thënë se nuk ka një interpretim të qartë se kujt i është referuar ai.
Maqedonci theksoi se nuk ka një analizë të saktë se kujt i është referuar Kurti me këtë shprehje dhe se nuk dëshiron të hyjë në interpretime të deklaratave politike individuale.
Ai shtoi se fyerjet në diskursin publik nuk janë të dobishme për asnjë palë politike dhe se komunikimi duhet të zbutet.
Në të njëjtin kontekst, ai përmendi edhe sulmet ndaj kryeministrit ndër vite, duke thënë se është përdorur edhe një gjuhë e ashpër ndaj tij, përfshirë epitete fyese të ardhura nga kundërshtarët politikë.
“Këto përgjithësime janë gjithmonë të këqija. LVV-ja ka shumë ushtarë të UÇK-së brenda saj dhe shumë kandidatë që kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare. Vetë kryeministri Kurti ka qenë pjesë e zyrës së UÇK-së në Prishtinë. Pra, ne promovojmë një politikë që është vlerësuese për luftën e UÇK-së. Unë nuk lëshohem në deklaratat dhe kundërshtitë që mund të kenë individët për çështje të caktuara. Unë nuk besoj se kryeministri e ka përgjithësuar UÇK-në me ndonjë term. Individët që mund të jenë komandantë apo mund të mos jenë komandantë, por zullumqarë, nuk e përgjithësojnë çështjen. Unë nuk kam ndonjë analizë dhe nuk e di saktë se kujt i është referuar kryeministri me termin ‘zullumqarë’. Asnjë fyerje nuk është e mirë, përfshirë edhe asnjë fyerje që i është bërë kryeministrit Kurti për shumë vite. Në fakt, së pari, një mbiemër i imponuar dhe i shpikur nga Serbia ka qenë për Albinin. Është quajtur ‘Albin Serbia’ shumë herë, por unë mendoj se duhet ta zbusim mënyrën se si komunikojmë”, përfundoi Maqedonci.

