Gjendet në ferra thika e përdorur nga autori i krimit.
Katër ditë pas vrasjes me thikë të 21-vjeçarit portugez Luis Mendes, policia e Sarandës ka gjetur armën e krimit. Përveç gjurmimit nëpërmjet kamerave të sigurisë për të parë lëvizjet që ka bërë autori i dyshuar, S.V., hetuesit kanë marrë edhe deklarimet e A.Z. Ky i fundit rezulton të jetë personi që ka marrë në makinë S.V. për ta dërguar në spital, pasi e ka parë me rroba të përgjakura.
Thika me të cilën dyshohet se u qëllua 7 herë 21-vjeçari portugez u gjet në disa ferra, në një rrugë dytësore. Gjatë deklarimeve të tij para hetuesve, A.Z. ka shpjeguar të gjitha lëvizjet që kanë kryer dhe deri ku e ka shoqëruar autorin e dyshuar të ngjarjes.
“A.Z. ka marrë makinën dhe në pjesën e sipërme të lokalit ka dalë S.V., i cili kishte hipur në pjesën e pasme të makinës dhe është nisur menjëherë në drejtim të qendrës shëndetësore të Ksamilit. Gjatë rrugës, S.V. i tha: “Ik vetëm drejt” dhe pas dy-tre minutash, kur shkuan në një rrugë me kalldrëm, i ka thënë: “Ndalo këtu” dhe ka ikur zbathur. Disa metra, pak larg makinës, A.Z. kishte vënë re që S.V. hodhi diçka me forcë.
S.V. në deklarimet e tij, ka theksuar se i ka kërkuar një shtetasi turk me emrin Mahmut, të cilin e kishte njohur në plazh, ta çonte në Tiranë sepse nuk e dinte se çfarë do të ndodhte më tej. Ai ishte futur në bagazhin e makinës, sipas tij, me argumentin se donte të flinte gjumë. S.V. ka mohuar të jetë ai personi që ka goditur me thikë 21-vjeçarin.
Ndërsa shtetasja turke, e cila u arrestua për përkrahje të autorit të krimit pasi u kap së bashku me N.M., duke sjellë në Tiranë autorin e dyshuar S.V., ka mohuar të ketë dijeni për ngjarjen.
“Jam njohur me shtetasin turk N.M., kur ka ardhur me pushime në Shqipëri, nëpërmjet adresës së Instagramit, pasi ky shtetas jep makina me qira. Unë nuk kisha dijeni që kishim S.V. në makinë. Rrugës, kur ishim duke shkuar për në Tiranë, dikush e ka telefonuar N.M., pak para se të shkonim te vendi ku na kapi policia, dhe i ka thënë që ‘shiko se ke polici përpara’. Aty N.M. më tregoi që në bagazh ndodhej S.V.”
Ndërkohë, policia është ende në kërkim të D.Gj., të cilin e akuzon për bashkëpunëtor në vrasje, sipas asaj që duket në pamjet e kamerave të sigurisë. Në kërkim është edhe pronari i lokalit, B.B. Më herët, gjykata caktoi arrest në burg për 6 persona dhe la të lirë 5 të tjerë./Tv Klan

