Nga partia VLEN deklaruan sot se vendi ndodhet “para një momenti historik”, duke iu referuar miratimit të ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, të cilin e cilësojnë si zbatim të drejtpërdrejtë të parimeve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit.
Nga VLEN thonë se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk është më vetëm parim kushtetues apo premtim politik, por tashmë po shndërrohet në detyrim ligjor për të gjitha institucionet dhe se ky ligj është vonuar për më shumë se dy dekada dhe se nuk është realizuar nga qeveritë e mëparshme, pavarësisht premtimeve të përsëritura.
Nga VLEN kritikuan kundërshtarët politikë, duke thënë se kanë pasur mundësi dhe pushtet për ta miratuar një ligj të tillë, por nuk kanë pasur vullnet politik. Shtuan se ka pasur përpjekje për ta paraqitur Marrëveshjen e Ohrit si të përmbyllur.
Në njoftimin e tyre shkruan se VLEN po e realizon këtë proces “brenda 25 muajve”, duke e krahasuar me periudhën shumë më të gjatë të mosveprimit të mëhershëm, dhe se sipas tij, për qytetarët është më e rëndësishme ekzistenca e një ligji mbrojtës sesa funksionet politike.

