By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
MomentiMomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Reading: Gazetaria e guximshme dhe e bazuar në fakte vazhdon të rezistojë në Evropë
Share
MomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Search
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Have an existing account? Sign In
Follow US
Gazetaria e guximshme dhe e bazuar në fakte vazhdon të rezistojë në Evropë
TOP Momenti

Gazetaria e guximshme dhe e bazuar në fakte vazhdon të rezistojë në Evropë

Momenti
Published: June 5, 2026

Nga: Beata Balogová, gazetare sllovake dhe anëtare e bordit të Çmimit Evropian të Gazetarisë / The Guardian (titulli: Orbán’s media slop spread poison beyond Hungary. Luckily, fearless, fact-based reporting endurës)
Përkthimi: Telegrafi.com

Në mbarë Evropën, gazetaria e shërbimit publik është mburojë për demokracinë. Por, ne duhet të vendosim nëse duam të luftojmë për mbijetesën e saj.

Your browser does not support the video tag.

Për 16 vjet, qeveria e Viktor Orbánit derdhi miliona euro nga fondet publike në institute kërkimore, institucione dhe media që mbështesnin pikëpamjet e tij joliberale – jo vetëm në Hungari, por edhe përtej kufijve të saj. Për shembull, në Sllovaki, ku jeton një pakicë e konsiderueshme hungareze, pretendohet se Budapesti u ka dërguar miliona euro organizatave të favorizuara mediatike. Shumë redaksi të pavarura mbijetuan me vetëm një pjesë të vogël të asaj që morën këto media.

Këto kanale, të majmura prej fondeve qeveritare, nuk u quajtën kurrë vërtet “media” prej kolegëve hungarezë, as krijuesit e përmbajtjes së tyre “gazetarë”. Nëse hungarezëve do t’u kërkohej të kujtonin qoftë edhe një histori tronditëse njerëzore, një hetim që zbulonte abuzimin me pushtetin ose një analizë të bazuar në fakte që sillte qartësi në mes të kaosit, ata do të kërkonin kot në kujtesën e tyre.

Ajo që këto media lanë pas është një listë e gjatë njerëzish, jetën e të cilëve e kanë bërë të hidhur – ose e kanë shkatërruar krejtësisht. Kritikët e regjimit të Orbánit u shndërruan në terroristë, grabitqarë seksualë, pedofilë, hajdutë, mashtrues fiskalë dhe dhunues familjarë. Një titull madje pretendonte se filantropi miliarder George Soros do të vriste nënën e vet. Ndonjëherë mjaftonte një fotografi e manipuluar ose një fjali nga një burim i blerë; në rastet e tjera vetëm një udhëzim nga ministria përkatëse.

Me kalimin e viteve, artikujt filluan t’i ngjanin njëri-tjetrit: të njëjtët personazhe dhe të njëjtat role, të njëjtat shprehje dhe formulime të përsëritura pa fund. Sikur të gjithëve po u shërbehej dreka nga e njëjta mensë fabrike.

Fakti që Orbáni e humbi pushtetin më 12 prill tregon se edhe perandoritë propagandistike, të ndërtuara ndër dekada, nuk janë të gjithëfuqishme. Ato nuk u sigurojnë gjithmonë fitore autokratëve që i ushqejnë. Dhe, kur këta sundimtarë bien, shpesh bien bashkë me ta edhe këto perandori të privuara nga paratë publike që i mbanin gjallë.

Përkundrazi, gazetaria që do të mbijetojë shpesh nuk ka të bëjë me politikën apo ideologjinë. Ka të bëjë me njerëzit e çrrënjosur dhe të hedhur në pasiguri nga trazirat dhe turbullirat shoqërore, të detyruar të rindërtojnë njëfarë jete. Ka të bëjë me njerëzit, identitetet e të cilëve janë gërryer nga historia si gurët në shtratin e një lumi. Ka të bëjë me njerëzit që politikanët i shihnin vetëm si figurantë në skenat madhështore të lavdisë së tyre, por që, përmes vuajtjeve të tyre, mësuan diçka që një ditë mund të na ndihmojë edhe neve që t’i përballojmë humbjet tona më të mëdha.

Për të gjetur histori të tilla, duhet të kesh qëndruar mbi varre masive dhe pranë djepave ku lindi shpresa, brenda qelive të burgut ku gratë u torturuan, në shtëpi kujdesi ku të moshuarit vdiqën të braktisur, ose në spitale ku njerëzit nuk vdiqën nga sëmundjet e tyre, por nga bakteret që u lejuan të përhapeshin për shkak të neglizhencës dhe dështimit të sistemit.

Pavarësisht dëmit që populistët dhe aspektet më të këqija të mediave sociale i kanë shkaktuar besimit publik gjatë dy dekadave të fundit, ka shumë njerëz të guximshëm që merren me këtë lloj raportimi të patrembur, në çdo cep të Evropës, në më shumë se 40 vende, përfshirë edhe rajonet ku orbanizmi është përpjekur të formësojë opinionin publik. Çmimi Evropian i Shtypit – që promovon rolin e gazetarisë cilësore në shërbim të demokracisë në Evropë – shpalli më 3 qershor fituesit e vitit 2026, dhe lista e ngushtë e kandidatëve hedh poshtë frikën se gazetaria e pavarur në shërbim të publikut është zhdukur ose është në prag të zhdukjes. Aspak.

Po, gazetarët dhe mediat e pavarura mbulojnë ndryshimet politike, regjimet autokratike dhe kërcënimet ndaj lirisë. Por, këtë nuk e bëjnë duke u mbështetur në terma të thatë si “tranzicion demokratik”, “ndryshim shoqëror” ose “krizë demografike” – shprehje që mpijnë vëmendjen, sepse pak lexues dinë t’u japin mish e gjak atyre fjalëve – por, përmes jetës së njerëzve fatkeq që kanë mbetur në stacione ku trenat nuk ndalojnë më.

Për shembull, ata hetojnë se si sistemi shëndetësor bask planifikoi të fuste në përdorim një mjet të inteligjencës artificiale për diagnostikimin e kancerit të lëkurës, megjithëse një studim i pavarur tregoi se ai nuk arrinte të zbulonte rreth një në tre melanoma dhe ishte trajnuar ekskluzivisht me të dhëna prej pacientëve të bardhë.

Ose rastin e një pedofili serial, krimet e të cilit në Irlandë u mbuluan përpara se ai të transferohej në Afrikë ku vazhdoi të abuzonte me fëmijë.

Ata kanë mbledhur dëshmi të mjekëve ndërkombëtarë që punuan në Gazë dhe trajtuan fëmijët me plagë të vetme nga armët e zjarrit në kokë ose në kraharor, duke sugjeruar se ata ishin qëlluar qëllimisht.

Dhe, kanë zbuluar dokumente të brendshme të Bashkimit Evropian, së bashku me prova të mbledhura nga organizatat për të drejtat e njeriut që tregojnë neglizhimin sistematik të qindra fëmijëve të pashoqëruar, të bllokuar në kushte çnjerëzore në kampet greke të refugjatëve.

Gazetaria cilësore, si e vetme, nuk mund t’i imunizojë shoqëritë kundër keqinformimit. Ajo nuk mund të parandalojë ngritjen e autokratëve apo depërtimin e ekstremistëve në qeveri të zgjedhura në mënyrë demokratike.

Dhe, gazetaria e pavarur nuk mund të mbijetojë pa institucione të afta që t’i rezistojnë presionit, pa botues dhe pronarë mediash që ende shohin gazetarë e lexues realë përtej kolonave të tabelave financiare. Ajo nuk mund të mbijetojë pa donatorë individualë – dhe, mbi të gjitha, pa lexues që e kuptojnë se mbështetja e gazetarisë së pavarur është investim në shëndetin mendor të shoqërisë.

Mbështetja e gazetarisë së pavarur është investim në aftësinë tonë për t’u pajtuar se, pavarësisht mendimeve të ndryshme, ende ekzistojnë faktet; se, pavarësisht shumëllojshmërisë së miteve kombëtare, ende ekziston një histori e përbashkët; dhe se, pavarësisht besëtytnive që brezat e mëparshëm mund të kenë besuar, ende ekziston shkenca. Është një investim në aftësinë tonë për të treguar histori që kapërcejnë kufijtë, zgjojnë empatinë dhe rikthejnë forcën edhe në ato vende ku njerëzit nuk besojnë më se forca ekziston.

Por, ndonjëherë pyes veten nëse, pas 10 vjetësh, gazetaria do të kërkojë ende biseda me burime të shumta, shpjegimin e kontekstit të ngjarjeve, deklarimin e konflikteve të interesit dhe citimin e burimeve me ndjeshmëri e saktësi. Apo, nëse gazetarët do të duhet të bëhen mjeshtër të frazave shumë të shkurta, duke e ngjeshur tragjedinë e brezave në një histori të vetme në Instagram. Dhe, nëse përsosmëria do të nënkuptojë vetëm aftësinë për t’i dhënë udhëzime me mjeshtëri inteligjencës artificiale, derisa artikujt tanë të fillojnë t’i ngjajnë njëri-tjetrit dhe të përfundojmë të gjithë duke huazuar të njëjtat fraza në një akt gjigant plagjiature.

Të gjithë po vendosim për këtë, pikërisht tani. /Telegrafi/

You Might Also Like

BMW i jep fund Serisë 8, Alpina pritet të marrë stafetën
Dua Lipa feston sot ditëlindjen
Ramush Haradinaj propozon Thaçin për president: T’i vazhdohet mandati që iu ndal në gjysmë
Njësia A4 rikthehet në operim, KEK njofton për startimin e saj
2 orë pritje për dalje nga Kosova në Merdarë, kolona arrin 1.2 kilometra

LEXO GJITHASHTU

Musliu-Shoshi: Kosova sot ka rendin kushtetues seriozisht të rrezikuar
Musliu-Shoshi: Kosova sot ka rendin kushtetues seriozisht të rrezikuar
Lajme
Prokuroria e policia mbrëmë zhvilluan aksion në Deçan, pesë persona u arrestuan për bixhoz të paligjshëm
Prokuroria e policia mbrëmë zhvilluan aksion në Deçan, pesë persona u arrestuan për bixhoz të paligjshëm
Lajme
Kurti prezanton projektin e banimit social, vlera 37 milionë euro për 21 komuna
Kurti prezanton projektin e banimit social, vlera 37 milionë euro për 21 komuna
Lajme
​Ngërçi politik dhe ndikimi në ekonomi, bizneset paralajmërojnë pasoja të reja – bujqve u vonohen subvencionet
​Ngërçi politik dhe ndikimi në ekonomi, bizneset paralajmërojnë pasoja të reja – bujqve u vonohen subvencionet
TOP Momenti
BDI: Shkrirja e VLEN-it në një parti është vetëm propagandë, Alternativa vazhdon të figurojë si parti e veçantë
BDI: Shkrirja e VLEN-it në një parti është vetëm propagandë, Alternativa vazhdon të figurojë si parti e veçantë
TOP Momenti

You Might Also Like

Kurti: 37 milionë euro për projektin e banimit social adekuat në Kosovë për 21 komuna
TOP Momenti

Kurti: 37 milionë euro për projektin e banimit social adekuat në Kosovë për 21 komuna

August 22, 2026
Kurti: Jemi në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për hapjen e urës së Ibrit
TOP Momenti

Kurti: Jemi në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për hapjen e urës së Ibrit

August 22, 2026
PDK e Aleanca sërish në sallë, kërkojnë konstituimin e Kuvendit
TOP Momenti

PDK e Aleanca sërish në sallë, kërkojnë konstituimin e Kuvendit

August 22, 2026
VLEN: Viti i ri shkollor me më shumë lehtësi për nxënësit, më pak shpenzime për prindërit
TOP Momenti

VLEN: Viti i ri shkollor me më shumë lehtësi për nxënësit, më pak shpenzime për prindërit

August 22, 2026

About US

Momenti - Sepse koha ka rëndësi
Kategorite
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Top Categories
  • Contact
  • Blog
  • Complaint
  • Advertise
©Momenti 2026. All Rights Reserved.
Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?