Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar sot se në koordinim me Policinë e Kosovës, Stacionin Policor në Deçan, mbrëmë ka ndërmarrë një aksion lidhur me dyshimet për zhvillimin e veprimtarisë së kundërligjshme të bixhozit.
Gjatë këtij aksioni, me urdhër të prokurorit të shtetit, janë arrestuar dhe ndaluar pesë persona, nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Prokuroria tha se gjatë kontrollit të lokalit ku dyshohet se zhvillohej kjo veprimtari, janë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht prova materiale që dyshohet se kanë shërbyer për zhvillimin e kësaj veprimtarie, përfshirë letra/karta të lojës, pesë (5) telefona mobilë, si dhe para të gatshme në shumën prej 1,615 (një mijë e gjashtëqind e pesëmbëdhjetë) euro.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, pesë personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa brenda afatit ligjor, prokurori i rastit do të ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale, përfshirë parashtrimin e kërkesës për caktimin e masës së sigurimit ndaj të dyshuarve, sipas dispozitave ligjore në fuqi.
“Prokuroria Themelore në Pejë, në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe dukurive të kundërligjshme, si dhe në ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj të gjithë personave që dyshohet se përfshihen në veprimtari të tilla”.
Njëkohësisht, Prokuroria ka inkurajuar të gjithë qytetarët që posedojnë informacione lidhur me veprimtari të kundërligjshme, që të bashkëpunojnë me organet e rendit dhe drejtësisë, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të dukurive negative në shoqëri.
The post Prokuroria e policia mbrëmë zhvilluan aksion në Deçan, pesë persona u arrestuan për bixhoz të paligjshëm appeared first on Gazeta Express.

