Të dielën janë hapur qendrat e votimit për zgjedhjet rajonale në lindje të Gjermanisë, të cilat mund të sjellin në pushtet qeverinë e parë shtetërore të ekstremit të djathtë në historinë e vendit pas Luftës së Dytë Botërore.
Votues të grupmoshave të ndryshme janë parë duke hedhur votën e tyre.
Zgjedhjet për parlamentin rajonal në Saksoni-Anhalt, një rajon me 2.1 milionë banorë në perëndim të Berlinit, kanë marrë një rëndësi të jashtëzakonshme, pasi përfaqësojnë shansin më të madh deri më tani që e djathta ekstreme dhe kundër emigracionit, Alternativa për Gjermaninë, ose AfD, të marrë postin e guvernatorit.
“Po, shpresojmë që vota jonë, ose vota ime, të ketë ndikim në mënyrë që balanca e forcave në parlamentin e landit të jetë e tillë që të pengojmë të tjerët, të cilët aktualisht janë shumë përpara, të vijnë në pushtet. Ky është mendimi im i sinqertë dhe për këtë arsye votova në mënyrë taktike”, ka thënë Joachim Meier, banor i Magdeburgut.
Nëse AfD-ja fiton, kjo do të ishte fitorja më e madhe në historinë 13-vjeçare të partisë, në një kohë kur ka pakënaqësi të gjerë ndaj qeverisë kombëtare, e cila ende nuk ka arritur t’i bindë votuesit se mund ta vërë ekonominë e dobët të vendit në lëvizje.

