Aleksandar Vuçiç do të presë Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të shtunën, ka njoftuar Beogradi zyrtar.
Kjo është vizita e parë zyrtare e Zelensky në Beograd që kur ka marrë detyrën si President i Ukrainës.
Të dy kanë pasur disa takime në forume dhe samite ndërkombëtare.
Vuçiç deklaroi se takimi me Zelensky, do të trajtojë rrugën evropiane të Ukrainës dhe Serbisë, bashkëpunimin dypalësh ekonomik dhe bashkëpunimin energjetik.
“Presidenti i Ukrainës po vjen në vizitën e tij të parë dypalëshe. Deri më tani kemi pasur pesë ose gjashtë takime, kryesisht në samite dhe konferenca të ndryshme. Kemi disa tema të rëndësishme. Njëra është rruga evropiane e Ukrainës dhe Serbisë, pasi jemi në një situatë të ngjashme dhe po përballemi me probleme të njëjta ose të ngjashme në rrugën tonë evropiane. Besoj se do të diskutojmë se si dhe në çfarë mënyre mund ta ndihmojmë vërtet njëri-tjetrin për këtë çështje, nëse është e mundur, të mësojmë disa gjëra nga njëri-tjetri”, tha Vuçiç.
Siç deklaroi ai, çështja e dytë është bashkëpunimi dypalësh ekonomik, dhe e treta është bashkëpunimi energjetik midis Serbisë dhe Ukrainës. Vuçiç tha se, përveç këtyre çështjeve kyçe, të gjitha temat e tjera janë të hapura. “Pra, në lidhje me bashkëpunimin tonë në fushën e kulturës, sportit, gjithçka tjetër”, shtoi Vuçiq.
Ai tha se Ukraina nuk e njeh Kosovën e pavarur, ka organizuar dy herë samite mes Evropës Juglindore-Ukrainës në territorin e saj “dhe nuk ka ftuar asnjë herë përfaqësues të Prishtinës”.
“Këto janë gjëra që duhet t’i respektojmë”, theksoi Vuçiç.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse vizita e Zelensky-t do të thotë që Serbia do t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, Vuçiç theksoi se Serbia tashmë e ka përcaktuar politikën e saj për sanksionet kundër Rusisë pothuajse pesë vjet më parë dhe se kjo nuk do të ndryshojë deri në njoftim të mëtejshëm. “Lidhur me sanksionet, më lejoni t’ju përgjigjem drejtpërdrejt: Serbia e ka përcaktuar politikën e saj. Volodymyr Zelensky, jam i sigurt se, në përputhje me luftën dhe pikëpamjet e tij, ai do të thotë atë që mendon për sanksionet kundër Federatës Ruse, por Republika e Serbisë i ka shprehur pikëpamjet e saj katër vjet e gjysmë më parë, pothuajse pesë vjet më parë, të cilat nuk i ka ndryshuar në periudhën e mëparshme dhe do të mbeten të tilla deri në njoftim të mëtejshëm”, tha Vuçiq.
The post Zelensky në Serbi të shtunën, Vuçiq: Asnjëherë s’kanë ftuar përfaqësues të Kosovës në Ukrainë, është për t’u respektuar appeared first on Gazeta Express.

