Sinani reagon pas vizitës së Vuçiqit në Preshevë: Shqiptarët mos i trajtoni si qytetarë të dorës së dytë
Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka reaguar pas vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në këtë komunë, duke kërkuar trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët.
Sinani ka thënë se Presheva nuk duhet të trajtohet vetëm si një vend që vizitohet kur institucionet qendrore kanë nevojë, ndërsa ka theksuar se çdo investim që përmirëson jetën e qytetarëve është i mirëseardhur.
“Presheva nuk mund të ketë dy standarde”, ka deklaruar Sinani.
Ajo ka përmendur investimet që Komuna e Preshevës ka realizuar në Mamincë, Strezoc, Svinjishtë dhe vendbanime të tjera, duke thënë se komuna nuk i ndan qytetarët sipas përkatësisë etnike.
Sinani ka theksuar se të njëjtin standard të barazisë që, sipas saj, zbatohet në nivel komunal, kërkojnë ta shohin edhe nga institucionet qendrore të Serbisë.
“Kemi kërkuar zyrtarisht investime për Shkollën ‘Prof. Ibrahim Kelmendi’, për shkollën në Mamincë, për çerdhen ‘8 Marsi’ dhe për projekte të tjera që lidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve tanë”, ka shkruar ajo.
Duke iu referuar investimeve të paralajmëruara gjatë vizitës së Vuçiqit, kryetarja e Preshevës ka ngritur pyetjen pse, sipas saj, qytetarët shqiptarë duhet të presin me vite për përgjigje, projekte dhe investime nga institucionet qendrore.
“Nuk kërkojmë që të merret nga njëri për t’i dhënë tjetrit. Kërkojmë të mos merret nga shqiptarët për t’u dhënë të tjerëve”, ka deklaruar Sinani.
Ajo ka theksuar se në Preshevë jetojnë shqiptarë, serbë, romë dhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera dhe se të gjithë duhet të kenë mundësi për një jetë më të mirë.
Megjithatë, sipas saj, zhvillimi i një komuniteti nuk duhet të përdoret si arsyetim për diskriminimin e një tjetri.
Sinani ka thënë se Komuna e Preshevës është e gatshme për bashkëpunim me institucionet e Serbisë, por jo për heshtje ndaj, siç i ka quajtur ajo, pabarazive.
“Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë barazi. Nuk kërkojmë më shumë se të tjerët. Kërkojmë të mos marrim më pak”, ka shkruar ajo.
Në fund, Sinani ka deklaruar se do të vazhdojë ta ngrejë këtë çështje në Preshevë, Beograd, Prishtinë dhe Tiranë.
“Shqiptarët e Preshevës janë këtu. Janë qytetarë. Kanë nevoja. Kanë të drejta. Dhe nuk do të pranojmë të trajtohemi si qytetarë të dorës së dytë ose që nuk ekzistojnë fare”, ka përfunduar kryetarja e Preshevës.

