Deputetja e zgjedhur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, ka folur përmes një lidhjeje direkte nga Rugova për Klan News, ku për gazetarin Besard Jacaj ka komentuar zhvillimet politike në vend, propozimin e AAK-së që Hashim Thaçi të jetë presidenti i ardhshëm i Kosovës, si dhe incidentin e 8 gushtit, kur ajo qëlloi me vezë kryeministrin Albin Kurti.
Fillimisht, Kadriaj shpjegoi propozimin e AAK-së për Hashim Thaçin, duke e konsideruar atë një zgjidhje për zhbllokimin e situatës politike në vend.
“Përderisa po kërkohet një kandidat për zhbllokimin e situatës, ku për zgjedhjen e Presidentit, Kosova ka shkuar në zgjedhje tre herë radhazi, unë mendoj është i duhur si propozim”, tha ajo.
Duke folur për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Kadriaj shprehu bindjen se ata do të shpallen të pafajshëm.
“Ne shpresojmë dhe besojmë që ish-krerët e UÇK-së do të lirohen të pafajshëm, sepse kanë bërë luftë çlirimtare dhe të drejtë. Ajo që duhet gjykuar është Serbia. Nuk ka fakte relevante që të dënohen ish-krerët, janë fakte të fabrikuara dhe grumbulluara nga Serbia.”
E pyetur nëse Ramush Haradinaj ka ambicie për të qenë vetë Kreu i Shtetit, Kadriaj tha se AAK-ja është e gatshme të qëndrojë në sallë dhe të kontribuojë në zhbllokimin e situatës, nëse plotësohen kushtet e saj.
“Ne, pa asnjë kusht, pa asnjë përfitim për aleancën kemi thënë që do qëndrojmë në sallë, në rast se Albin Kurti pranon 6 kushtet. Në shtator mbahet fjala përfundimtare në Hagë dhe po besojmë fuqishëm se zoti Thaçi do të lirohet dhe ta vazhdojë postin e presidentit, prej ku është larguar padrejtësisht.”
Në vijim, ajo u pyet edhe për incidentin e 8 gushtit, i cili mori vëmendje edhe në mediat ndërkombëtare, kur Kadriaj qëlloi me vezë kryeministrin Albin Kurti.
Lidhur me arsyet që e shtynë drejt këtij veprimi, ajo u shpreh:
Për të ardhur deri te shtetësia, dhe për të fituar pavarësinë, Kosova ka kaluar shumë sfida të shumta dhe është derdhur shumë gjak. Askush nuk është mbi ligjin, kjo ka qenë pikërisht arsyeja. Konsiderojmë se zoti Kurti ka shkelur Kushtetutën, një vendim të Gjykatës Kushtetuese, afatet kur duhet të konstituohet Kuvendi apo të zgjidhet Presidenti. Ai ka pritur afatin e fundit që të kryhej betimi i deputetëve, nuk ka hyrë fare në procedura për zgjedhjen e kryeparlamentarit apo nënkryetarëve. Po ndodh kjo zvarritje! E ka zvarritur me vite të tëra çështjen e presidentit, pa bashkëpunim me asnjë parti politike. Duhet mirëkuptim, të lëshohet pe, jo t’i mbajë të gjitha postet ky dhe ta imponojë se çfarë duhet të kërkojë çdo parti.
E pyetur se si kishte arritur t’i fuste vezët në çantë dhe t’i kalonte brenda godinës së Kuvendit të Kosovës, Kadriaj nuk dha detaje, duke e cilësuar atë si mënyrën e saj për të realizuar protestën.
“Për këtë nuk do të të përgjigjem, ka qenë forma ime se si kam arritur t’i fus vezët në Kuvendin e Kosovës. Shpeshherë deputetët marrin vezë të ziera, edhe për ushqim, kur kemi seanca të gjata. Nuk do të prononcohem për këtë, sepse kam gjetur format e mia. Në fund të fundit janë vezë, s’ka qenë armë që mund të dëmtonte”, përfundoi Kadriaj.

