Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka dalë edhe njëherë në mbrojtje të ish-komandantit serb të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte dhe gjenocid, duke kritikuar Perëndimin pse nuk e lejon atë të largohet nga burgu në Hagë për t’u trajtuar në Serbi.
Vuçiq ka thënë se nuk e kupton qëndrimin e autoriteteve ndërkombëtare ndaj gjendjes shëndetësore të Mlladiqit, pavarësisht se, sipas tij, ai ndodhet pranë fundit të jetës.
“Qoftë edhe një javë apo pesë javë, është njësoj. Mund ta kishin bërë siç pritën Nebojsha Pavkoviqin derisa i kishin mbetur fjalë për fjalë dy javë para vdekjes, pastaj e lejuan të kthehej në vend për të paktën të vdiste aty ku kishte jetuar dhe për çfarë kishte luftuar”, ka deklaruar Vuçiq.
Ai ka pretenduar se çështja e Mlladiqit nuk duhet parë përmes vendimeve gjyqësore, por si një çështje humanitare.
“Për gjeneralin Mlladiq bëhet fjalë vetëm për një qasje humane ndaj një njeriu. Pse sillen kështu dhe pse e bëjnë këtë, nuk e kuptoj, të jem krejtësisht i sinqertë”, është shprehur presidenti serb.
Mlladiq, i njohur si një nga figurat kryesore të aparatit ushtarak serb të Bosnjës gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, po vuan dënimin e përjetshëm në Hagë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Familja e tij kishte pretenduar në maj të vitit 2025 se, sipas mjekëve, Mlladiq nuk do ta përfundonte vitin. Edhe gjatë këtij viti janë publikuar në disa raste informacione se gjendja e tij shëndetësore është rënduar dhe se ai ndodhet në fazën e fundit të jetës.
Nga Haga është konfirmuar se Ratko Mlladiq ndodhet në “fazën përfundimtare të jetës”. Megjithatë, presidentja e Mekanizmit të mbetur për Tribunalet Penale Ndërkombëtare, Graciela Gatti Santana, ka refuzuar kërkesën e familjes dhe avokatëve të tij për lirimin e përkohshëm dhe dërgimin e tij për trajtim në Serbi.
Ratko Mlladiq mbetet një prej figurave më famëkeqe të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Ai u dënua përfundimisht me burgim të përjetshëm nga mekanizmi gjyqësor i OKB-së, ndërsa emri i tij lidhet drejtpërdrejt me masakrën e Srebrenicës dhe krimet e kryera ndaj civilëve gjatë luftës.
Ndërkohë, Vuçiq është kritikuar vazhdimisht për qëndrimet e tij ndaj trashëgimisë së Tribunalit të Hagës dhe çështjes së Srebrenicës. Në vitin 2024, gjatë debatit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për rezolutën që e shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, ai u shfaq me flamurin serb dhe bëri fushatë kundër miratimit të rezolutës.
The post Vuçiq sërish në mbrojtje të kriminelit të luftës Ratko Mlladiq: Nuk e kuptoj pse nuk e lënë të dalë nga Haga appeared first on Gazeta Express.

