Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përmes një videoadresimi propagandistik, ka aluduar se gjatë viteve të fundit në Kosovë, është zhvilluar një ‘’përndjekje dhe terror i pandërprerë’’ ndaj qytetarëve serbë, dhe për të cilën, ka shtuar ai, po ‘’heshtin’’ Bashkimi Evropian, NATO dhe të tjerët.
Vuçiq ka vazhduar duke thënë se, gjatë pesë viteve të fundit ka pasur ‘’800 sulme me motive entike’’ ndaj qytetarëve serbë të Kosovës, dhe, 257 të tillë janë arrestuar, të cilët, sipas tij, ‘’janë rrahur’’.
‘’ Sapo i kam dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me të cilin së fundmi pata një bisedë të rëndësishme në margjinat e samitit të Parisit. I kam kërkuar dhe i kam bërë thirrje që NATO-ja të mos lejojë hapjen e urës mbi Ibër” ka thënë Vuçiq.
Presidenti serb ka shtuar se, edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë, Milan Mojsilloviq, ka pasur një bisedë ‘’shumë të vështirë dhe serioze’’ me komandantin e KFOR-it, Ulutash, ku, është kërkuar që të mos hapet ura Ibër, sepse kjo çështje ‘’ka qenë gjithmonë çështje e dialogut’’, dhe gjë për të cilën, ‘’nuk është arritur asnjëherë marrëveshje’’.
‘’Dhe asgjë nga të gjitha këto nuk do të kishte ndodhur nëse Bashkimi Evropian dhe Perëndimi do ta kishin respektuar atë që nënshkruan në prill të vitit 2013. Meqë nuk e respektuan, meqë nuk u formua Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, meqë të drejtat e serbëve nuk respektohen, për këtë arsye të gjitha këto gjëra po ndodhin edhe sot” ka thënë ai.
“Prandaj i kam dërguar letër Mark Rutte-s dhe i kam kërkuar që të heqin dorë nga mbështetja për një vendim të tillë të autoriteteve të Prishtinës. Besoj se gjykimi i tij do të jetë se paqja dhe stabiliteti rajonal janë të një rëndësie të madhe. Ndërkohë, ne do të vazhdojmë të luftojmë politikisht në të gjitha mënyrat e mundshme, pa përjashtuar mundësinë e thirrjes së një seance të posaçme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për çështjen e Kosovës, sepse terrori i Albin Kurtit dhe Prishtinës ndaj popullsisë serbe duhet të ndalet’’, ka shtuar mes tjerash Vuçiq.
The post Vuçiq i shkruan letër Ruttes për urën e Ibrit: S’duhet të hapet, s’është arritur asnjëherë marrëveshje appeared first on Gazeta Express.

