Një punëtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arbenit Ahmeti, ka humbur jetën sot pas një aksidenti të rëndë gjatë kryerjes së detyrave të punës.
Sipas njoftimit të KEK-ut, aksidenti ka ndodhur gjatë angazhimit të tij në transportin dhe zhvendosjen e kabllove 6 kV, ku dyshohet se ka rënë në kontakt me tensionin elektrik dhe ka pësuar lëndime të rënda.
Menjëherë pas ngjarjes, janë ndërmarrë veprimet emergjente dhe Ahmeti është dërguar për trajtim mjekësor në Ambulancën e Obiliqit.
“Menjëherë pas ngjarjes janë ndërmarrë veprimet emergjente dhe punonjësi është dërguar për trajtim mjekësor në Ambulancën e Obiliqit. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, fatkeqësisht ai nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve të marra”, thuhet në njoftim.
KEK-u ka shprehur ngushëllime për familjen Ahmeti, të afërmit, kolegët dhe të gjithë ata që e kanë njohur të ndjerin.
Ndërkohë, sipas njoftimit, organet kompetente janë duke trajtuar rastin, ndërsa rrethanat e plota të aksidentit pritet të sqarohen në përputhje me procedurat përkatëse.
The post Tjetër viktimë në KEK, një punonjës vdes si pasojë e kontaktit me tensionin elektrik – detaje appeared first on Gazeta Express.

