Një 29-vjeçar ka humbur jetën të martën në Mitrovicën e Veriut, pasi kishte pësuar lëndime të rënda trupore gjatë punimeve në ndërtimin e stacionit të ri policor në Zubin Potok.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur rreth orës 10:00, kur viktima, punëtor i një kompanie private, është sjellë me lëndime të rënda në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Zubin Potok.
Për shkak të gjendjes së rëndë, ai është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal në Mitrovicë të Veriut, ku rreth orës 11:00 mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, inspektorët komunalë dhe inspektorët e punës. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, prokurori ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i 29-vjeçarit është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Lidhur me rastin është intervistuar një person me inicialet B.B., i lindur në vitin 1977, në cilësinë e të dyshuarit. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë.
Hetimet po vazhdojnë për të ndriçuar plotësisht rrethanat e aksidentit. /Telegrafi/

