Pas deklaratës së kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka reaguar deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Çitaku i ka bërë thirrje kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, që të thërrasë menjëherë seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Ajo ka kërkuar që Kuvendi të konstituohet, duke e cilësuar situatën aktuale si krizë institucionale.
“Albin, tash thirre seancën menjëherë dhe konstituoje Kuvendin. Të paktën, riktheje demokracinë dhe rendin kushtetues në vend”, ka shkruar Çitaku.
Sipas saj, pengimi i funksionalizimit të institucioneve dhe zvarritja e procesit nuk përbëjnë demokraci.
“Pengmarrja e institucioneve, lojërat me shtetin dhe qytetarët nuk janë demokraci – janë abuzim”, ka deklaruar ajo.
Çitaku ka kërkuar përfundimin e krizës politike dhe rikthimin e funksionimit institucional.
“Mjaft më me krizë. Demokraci. Tash. Menjëherë!”, ka përfunduar Çitaku. /Telegrafi/

