Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA mund ta shpallë Ngushticën e Hormuzit “territor të Shteteve të Bashkuara”, në një kërcënim të ri ndaj Iranit, ndërsa negociatat për t’i dhënë fund konfliktit mes dy vendeve mbeten në ngërç.
Gjatë një fjalimi në një akademi policie në Long Island, Nju Jork, të premten, Trump tha se “shumë shpejt” mund të ndërmarrë një hap të tillë, pasi sipas tij Irani po mposhtet.
“Pasi të përfundojmë mposhtjen e Iranit, i cili po mposhtet shumë keq, shumë shpejt do ta shpallim Ngushticën e Hormuzit territor të Shteteve të Bashkuara”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump shtoi se SHBA ka vendosur një bllokadë dhe se, sipas tij, asnjë anije nuk do të kalojë nëpër këtë rrugë ujore nëse Uashingtoni nuk e lejon.
Megjithatë, nuk është e qartë nëse deklarata e Trump përfaqëson një ndryshim konkret të politikës amerikane apo ishte një kërcënim i bërë në kuadër të presionit ndaj Teheranit.
Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, reagoi në rrjetin social X, duke deklaruar se Irani nuk do të frikësohet nga kërcënimet apo demonstrimet e forcës nga SHBA. Sipas tij, vendimi për hapjen ose mbylljen e Ngushticës së Hormuzit mbetet nën autoritetin e Iranit.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi tha se Teherani nuk ka vendosur të rifillojë negociatat me Uashingtonin. Ai sqaroi se mesazhet e shkëmbyera përmes Katarit dhe Pakistanit nuk përbëjnë negociata të drejtpërdrejta.
Ngushtica e Hormuzit është një prej pikave më strategjike të transportit detar në botë. Nëpërmjet saj kalon zakonisht rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë të transportuar nga deti.
Ngushtica shtrihet mes Iranit dhe Omanit dhe ka rëndësi të jashtëzakonshme për tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Konflikti ka ndikuar me rritje të ndjeshme të çmimeve të karburanteve.
Trump ka mbrojtur politikën e tij, duke argumentuar se rritja e çmimit të karburanteve është një kosto që amerikanët duhet ta përballojnë në kuadër të përpjekjeve për të penguar Iranin të sigurojë armë bërthamore./rtsh

