Konventa e parë e Partisë Republikane në prag të zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor u mbyll nga Donald Trump me një thirrje të drejtpërdrejtë për votuesit: “Shkoni të votoni ose do të shkoni në ferr”. Zgjedhjet pritet të kenë rëndësi vendimtare për presidentin amerikan.
Gjatë aktivitetit dyditor në Dallas, Trump përdori slogane të forta dhe përsëriti disa prej premtimeve të tij, mes tyre edhe atë për një “dividend” prej 5 mijë dollarësh për çdo amerikan, nëse republikanët fitojnë zgjedhjet e mesmandatit. Ai kërkoi gjithashtu që mbështetësit t’i betoheshin për besnikëri.
Fjalimi i nënpresidentit JD Vance i parapriu atij të Trumpit dhe ndezi atmosferën në sallë. Vance përmendet gjithnjë e më shpesh si një prej emrave kryesorë të republikanëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Demokratët u sulmuan ashpër nga Vance, i cili i quajti “partia e urrejtjes” dhe u kërkoi republikanëve të angazhohen për zgjedhjet e nëntorit. “Ata janë partia që përbuz Amerikën dhe që ka simpati për terroristët që kryen sulmet e 11 shtatorit. Të mos harrojmë kurrë se Amerika u përket atyre që e duan”, deklaroi ai.
Vance u bëri thirrje amerikanëve të vlerësojnë rezultatet e administratës republikane gjatë 18 muajve të fundit. Sipas tij, vendi nuk duhet t’i lihet një “grupi të çmendurish” që do ta shkatërronte.
Pas tij, Trump përshëndeti mbështetësit e mbledhur në American Airlines Center, ku salla ishte e tejmbushur, ndërsa në fillim vlerësoi figurën e nënpresidentit. “Dy vite më parë u zgjodha për të shpëtuar Amerikën dhe i kam mbajtur të gjitha premtimet. Mora momentin e errët të Amerikës dhe e shndërrova atë në një epokë të artë”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump paralajmëroi se një fitore e demokratëve do të sillte pasoja të rënda, duke thënë: “Do t’ju konfiskojnë pasurinë, do t’ju trefishojnë taksat dhe do të gjymtojnë fëmijët tuaj”. Në të njëjtën kohë, ai rikonfirmoi zotimin për t’u dhënë 5 mijë dollarë çdo amerikani në rast të fitores republikane në zgjedhjet e mesmandatit.
Presidenti amerikan i orientoi më tej mbështetësit drejt votimit në nëntor, duke u kërkuar ta konsideronin atë si kandidatin në fletëvotim: “Bëni sikur jam unë kandidati dhe emri im është në fletëvotim”.
Një pjesë të fjalimit Trump ia kushtoi edhe luftës me Iranin. Ai tha se nuk ndiente pendesë për vendimet e marra dhe shtoi: “Nuk besoj te koncepti i pendesës. Dikush më pyeti për këtë. Nëse do të më duhej ta bëja sërish, do të veproja saktësisht siç veprova”.
Megjithëse pranoi se në disa momente e vë në dyshim situatën, Trump deklaroi se Irani, sipas tij, po dorëzohet në të gjitha frontet. Për ngushticën e Hormuzit, ai u shpreh: “Ne kontrollojmë ngushticën e Trump”.
Në përfundim, Trump i ftoi të pranishmit të bënin një betim besnikërie ndaj tij. “Ngrini dorën dhe përsëritni pas meje: I premtoj presidentit më të madh në historinë e Shteteve të Bashkuara, i cili na do kaq shumë, se do të shkoj të votoj”, tha ai, ndërsa turma përsëriti fjalët e presidentit. Më pas, me ironi, shtoi: “E dini çfarë ndodh nëse nuk shkoni të votoni? Do të shkoni në ferr”.
Konventa u mbyll me përsëritjen e premtimit të Trumpit për ta bërë “Amerikën sërish të madhe”. Nën tingujt e himnit kombëtar amerikan, qindra balona zbritën mbi turmë, duke shënuar përfundimin e aktivitetit të organizuar prej tij në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e nëntorit.
The post Trump përmbyll konventën republikane: Votoni në nëntor ose “do të shkoni në ferr” appeared first on Gazeta Express.

