Ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në një konferencë të përbashkët për media me drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se kanë gjetur një arsenal armësh në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin Potokut.
Në Kalludër u gjetën tri varreza masive ku si rezultat i gërmimeve u identifikuan mbetjet eshtërore të 23 personave.
“Jemi këtu për të paraqitur rezultatet e një operacioni të suksesshëm që ka rezultuar me gjetjen dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme armatimi, municioni dhe pajisjesh ushtarake. Ky arsenal është gjetur në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin Potokut, për të gjithë ne pikërisht aty ku gjatë javëve të fundit janë zbuluar tri varreza masive në të cilat janë gjetur mbetje mortore të një 23 personave. Sekuestrimi dhe zbulimi i varrezave masive ka ardhur si rezultat i një hetimi intensiv të institucioneve tona, e cila i ka paraprirë shtrirja e sovranitetit të shtetit edhe në veriun e vendit tonë”, tha Sveçla.
Ai tha se armatimi i sekuestruar tash do t’i nënshtrohet ekzaminimeve.
“Armatimi që shihni sot para jush është gjetur në 12 lokacione të ndryshme. Nga sot ai do t’i nënshtrohet ekzaminimit dhe analizave të detajuara me qëllim të përcaktimit të origjinës, përdorimit dhe lidhjeve të mundshme me rastet e hetuara, përfshirë edhe ekzaminimin e së paku 23 personave, por edhe rastet e tjera kriminale”./Express/
The post Sveçla thotë se kanë gjetur armë në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin Potokut appeared first on Gazeta Express.

