Qeveria zvicerane ka vendosur që qytetarët ukrainas që gëzojnë statusin e mbrojtjes S të mund të vazhdojnë të udhëtojnë jashtë vendit dhe të kthehen në Zvicër pa pasur nevojë për leje të veçantë udhëtimi.

Vendimi është bërë i ditur të mërkurën, më 11 nëntor, nga Këshilli Federal i Zvicrës, i cili ka miratuar një propozim për ndryshimin e Ligjit për të Huajt dhe Integrimin.
Sipas autoriteteve zvicerane, kjo rregullore e veçantë synon të ruajë lirinë e udhëtimit për personat nga Ukraina që kanë marrë statusin e mbrojtjes S, shkruan Swissinfo, transemeton Telegrafi.
Ata mund të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh në zonën Schengen, pa vizë, nëse posedojnë pasaportë biometrike.
Megjithatë, për udhëtimet drejt Ukrainës ekziston një kufizim: qëndrimi atje nuk mund të kalojë 15 ditë brenda një periudhe gjashtëmujore.
Ndërkohë, rregulla më të ashpra pritet të zbatohen për azilkërkuesit dhe personat e pranuar përkohësisht në Zvicër. Këtyre kategorive do t’u lejohet udhëtimi jashtë vendit vetëm në raste të veçanta dhe me autorizim nga autoritetet kompetente.
Sipas Këshillit Federal, rregullorja e veçantë për ukrainasit do të mbetet në fuqi për aq kohë sa vazhdon të ekzistojë statusi i mbrojtjes S.
Ndryshimet e propozuara tani do t’i kalojnë Parlamentit për shqyrtim.
Zvicra kishte vendosur që statusi S për refugjatët ukrainas të vazhdojë së paku deri më 4 mars 2028./Telegrafi/





