Në konferencën për media para kësaj ndeshje, trajneri finlandez ka thënë se skuadra e tij synon fitoren, me të cilën do të mbante gjallë shpresat për ta përfunduar grupin në vendin e parë.
“Kjo ndeshje është si një finale për ne. E respektojmë kundërshtarin dhe shpresojmë që të jetë një sfidë e bukur. Por duam ta fitojmë dhe të garantojmë vendin e parë në grup. E dimë që nuk do të jetë e lehtë, edhe për shkak të mbështetjes së tifozëve, por jemi përgatitur mirë”, ka deklaruar Friis.

Finlanda do të përballet me Shqipërinë të mërkurën, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Finlandezët vijnë në këtë përballje pas dy rezultateve zhgënjyese ndaj Bjellorusisë, të cilat ua kanë vështirësuar synimin për t’u ngjitur në Ligën B. Ata aktualisht renditen në vendin e tretë në grup.
Megjithatë, skuadra e Friis mund të mbështetet te fitorja 2:1 ndaj Shqipërisë në ndeshjen e parë, të zhvilluar në tetor. Në atë përballje, kuqezinjtë luajtën me një futbollist më pak që në pjesën e parë, pas një kartoni të kuq.
Shqipëria kryeson grupin, e ndjekur nga Bjellorusia dhe Finlanda. Vetëm fituesi i grupit siguron promovimin e drejtpërdrejtë në Ligën B, ndërsa skuadra që përfundon në vendin e dytë do të luajë në “play-off” për promovim ose mbijetesë.
Burimi: RTKLive





