San Francisko do të jetë qyteti pritës i një prej ngjarjeve më të rëndësishme ndërkombëtare të modës. Vogue ka konfirmuar se edicioni i ardhshëm i “Vogue World” do të organizohet në këtë qytet amerikan në vjeshtën e hershme të vitit 2027.
Ngjarja pritet të bashkojë emra të njohur të modës, stilistë, artistë, muzikantë dhe figura të njohura të industrisë së argëtimit, duke e kthyer qytetin në një qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Anna Wintour, drejtuesja globale editoriale e Vogue, e vlerësoi San Franciskon për kreativitetin, diversitetin kulturor dhe historinë e tij në mbështetje të artit dhe inovacionit. Sipas saj, qyteti ofron një atmosferë të veçantë për një ngjarje të këtij niveli.
Edhe kryebashkiaku i San Franciskos, Daniel Lurie, e konsideroi organizimin e Vogue World një mundësi të rëndësishme për të promovuar talentet vendase, stilistët, artistët dhe bizneset e vogla.
“Vogue World” është një spektakël që ndërthur sfilatat e modës me performanca muzikore dhe elemente të kulturës bashkëkohore. Edicionet e mëparshme janë organizuar në Nju-Jork, Londër, Paris dhe Los Anxhelos, ndërsa në vitin 2026 eventi zhvillohet në Milano.
Përzgjedhja e San Franciskos për edicionin e vitit 2027 shihet si një mundësi për të nxjerrë në pah identitetin krijues të qytetit dhe për të promovuar industrinë lokale të modës në skenën ndërkombëtare.
Data e saktë, vendi i organizimit dhe emrat e stilistëve e artistëve pjesëmarrës ende nuk janë bërë të ditur nga organizatorët.
Burimi: Dukagjini




