Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në një shtëpi private në Mitrovicë, pas konstatimit të parregullsive në zbatimin e masave për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Sipas njoftimit të këtij institucioni, parregullsitë janë evidentuar gjatë një inspektimi në objektin ku po zhvilloheshin punimet.
Si pasojë, inspektorët kanë marrë vendim për ndërprerjen e përkohshme të punës, deri në eliminimin e mangësive dhe krijimin e kushteve të sigurta për punëtorët.
“Për shkak të parregullsive të evidentuara, inspektorët kanë marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve, deri në eliminimin e tyre dhe krijimin e kushteve të sigurta për zhvillimin e punës”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.
Po ashtu, ky institucion u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë legjislacionin në fuqi dhe të sigurojnë zbatimin e masave për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve. /Telegrafi/




