Trupi gjykues ka ndryshuar pas pensionimit të gjyqtarit Vesel Ismaili. Seanca e radhës është caktuar për 17 dhjetor, kur pritet të vazhdojë dëgjimi i dëshmitares Tiana Viqentijeviq.
Seanca gjyqësore për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit ka vazhduar pasdite në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me praninë e prokurorit të rastit, Bekim Kodrali.

Pas ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues, për shkak të pensionimit të gjyqtarit Vesel Ismaili, kryesues i trupit gjykues është gjyqtari Leon Perlaska, ndërsa anëtarë janë gjyqtarët Kujtim Krasniqi dhe Lutfi Shala.
Në fillim të seancës, prokurori Kodrali deklaroi se qëndron në tërësi pranë fjalës hyrëse. Të njëjtin qëndrim e shprehën edhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar, ndërmarrjes Ibër-Lepenc, si dhe avokatët e të akuzuarve. Edhe të pandehurit konfirmuan se mbeten pranë fjalëve hyrëse të paraqitura më 9 korrik 2026.
Kryetari i trupit gjykues, Leon Perlaska, njoftoi se për seancën e sotme nuk ishte ftuar asnjë dëshmitar. Ai bëri të ditur se kanë mbetur edhe disa propozime të mbrojtjes për t’u shqyrtuar, për të cilat gjykata do të vendosë me kohë.
As prokuroria dhe as mbrojtja nuk paraqitën propozime të reja, përtej atyre të bëra në seancat e kaluara.
Gjykata njoftoi se në seancën e ardhshme do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitares Tiana Viqentijeviq, dëshmia e së cilës kishte nisur në seancën paraprake, por nuk ishte përfunduar. Ajo kishte deklaruar se e kishte parë Jovan Viqentijeviqin në shtëpi ditën e sulmit, para se ai të nisej për në punë.
Seanca e radhës është caktuar për 17 dhjetor.
Burimi: RTKLive





