Vivienne, vajza 18-vjeçare e aktorëve të njohur Brad Pitt dhe Angelina Jolie, ka marrë miratimin e gjykatës për të hequr mbiemrin e të atit dhe për të mbajtur vetëm atë të nënës.

Lajmi është bërë i ditur nga USA Today, sipas së cilës, më 2 nëntor, një gjykatë në Kaliforni miratoi kërkesën e saj për ndryshimin e emrit nga Vivienne Marcheline Jolie-Pitt në Vivienne Marcheline Jolie.
Kërkesën për ndryshimin e emrit, Vivienne e kishte paraqitur në muajin korrik, pak kohë pasi kishte mbushur 18 vjet.
Ajo nuk është e vetmja nga fëmijët e çiftit që ka vendosur të heqë mbiemrin Pitt. Edhe motra e saj e madhe, Zahara, 21 vjeçe, ka marrë miratimin për të ndryshuar emrin nga Zahara Marley Jolie-Pitt në Zahara Marley Jolie. Ndërkaq, motra Shiloh dhe vëllai Maddox kanë hequr gjithashtu mbiemrin e aktorit.
Vendimi i Vivienne ka nxitur reagime të ndryshme, ndërsa një burim pranë Brad Pittit e ka kritikuar këtë veprim, duke e cilësuar si një tjetër shenjë të largimit të fëmijëve nga babai i tyre.
“Ky është një tjetër shembull i asaj që nënkupton largimi i plotë i fëmijëve nga njëri prind. Kushdo që e ka ndjekur këtë situatë gjatë dhjetë vjetëve të fundit e di se vetëm njëra palë ka folur publikisht për fëmijët dhe është përpjekur t’i përdorë ata si armë”, u shpreh burimi.
Në anën tjetër, një burim tjetër i ka kundërshtuar këto pretendime, duke theksuar se bëhej fjalë për një procedurë të zakonshme ligjore.
“Seanca ishte e detyrueshme me ligj dhe ishte caktuar prej muajsh nga gjykata e Los Angelesit. Është një nivel i ri i ulët që njerëzit pranë tij të krijojnë teori konspirative, të shmangin përgjegjësinë për sjelljen e tij dhe të sulmojnë vajzën e vet”, ka deklaruar burimi.
Ndërkohë, Knox, vëllai binjak i Vivienne, nuk ka nisur ende ndonjë procedurë ligjore për ndryshimin e emrit. Megjithatë, raportohet se në diplomën e shkollës së mesme ka përdorur vetëm mbiemrin Jolie.
Kurse Pax, 22 vjeç, thuhet se vazhdon të ketë marrëdhënie të mira me familjen e Pittit, ndonëse kontaktet e tij me aktorin janë të kufizuara.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




