Ukraina i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të përshpejtojnë dërgesat e raketave interceptuese për mbrojtje ajrore, ndërsa Rusia po intensifikon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, tha për Reuters se këtë kërkesë ia ka paraqitur sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, gjatë një takimi në Paris, në margjinat e takimit të ministrave të Jashtëm të G7-ës.

“Duhet të punojmë për paqen, por paralelisht duhet të vazhdojmë të ushtrojmë presion ndaj Rusisë”, deklaroi Sybiha.
Ai tha se ka kërkuar mbështetje shtesë për rrjetin energjetik të Ukrainës dhe përshpejtimin e furnizimeve me raketa për mbrojtje ajrore.
Duke komentuar bisedimet ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dhabi, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, Sybiha tha se Kievi mbetet i përkushtuar ndaj përpjekjeve për paqe.
Ai konfirmoi se Ukraina është e gatshme të diskutojë masa për uljen e tensioneve, përfshirë armëpushimin në Detin e Zi dhe ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike. Megjithatë, u shpreh se nuk është optimist për arritjen e një marrëveshjeje për Detin e Zi.
“Presidenti rus Vladimir Putin po përpiqet të na thyejë shpirtin gjatë dimrit”, tha Sybiha, duke akuzuar Rusinë për sulme të qëllimshme ndaj infrastrukturës civile.
Rusia mohon se po shënjestron qëllimisht civilët.
Ministri ukrainas paralajmëroi se kostoja e luftës do të rritet ndjeshëm në vitin 2027 dhe shprehu shpresën për sigurimin e angazhimeve financiare afatgjata nga partnerët ndërkombëtarë.
Ai tha se familja e tij në Kiev, sikurse shumë ukrainas, shpesh ka energji elektrike vetëm për disa orë në ditë.
“Kjo do të thotë pa ngrohje, pa ujë, pa kanalizim, prandaj është një sfidë e madhe për ne”, shtoi ai.
Burimi: RTKLive




