Tifozët e Manchester Unitedit nuk janë të vetmit që kanë mbetur të pakënaqur me gjyqtarin Szymon Marciniak, pas barazimit 2-2 të skuadrës angleze me Sportingun në Ligën e Kampionëve.

Gjyqtari polak u kritikua ashpër të mërkurën mbrëma, pasi akordoi dy penallti për Sportingun në pjesën e parë, anuloi dy gola të Manchester Unitedit dhe lejoi të vlefshëm një gol të barazimit, pavarësisht pretendimeve për faull ndaj portierit Senne Lammens.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Marciniak bëhet objekt kritikash për vendimet e tij në një ndeshje të rëndësishme të Ligës së Kampionëve. Vetëm një vit më parë, gjyqtari polak ishte në qendër të zemërimit të lojtarëve dhe tifozëve të Barcelonës, pas eliminimit dramatik nga Interi në gjysmëfinale të këtij kompeticioni.
Barcelona humbi 4-3 në ndeshjen e kthimit në “San Siro” në vitin 2025, duke u eliminuar me rezultat të përgjithshëm 7-6.
Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick ishte e revoltuar me vendimin për t’i akorduar Interit një penallti në pjesën e parë, pasi Pau Cubarsi u ndëshkua për një ndërhyrje ndaj Lautaro Martinezit. Po ashtu, katalunasit pretenduan për penallti në anën tjetër, pasi mbrojtësi i Interit, Francesco Acerbi, dukej se e kishte prekur topin me dorë brenda zonës.
Polemikat vazhduan edhe në pjesën e dytë, kur Marciniak ndryshoi vendimin për një penallti të mundshme, pas rrëzimit të Lamine Yamalit në zonë. Barcelona besonte gjithashtu se kishte pasur faull ndaj Gerard Martinit në aksionin që i parapriu golit dramatik të barazimit të Interit.
Pas ndeshjes, mesfushori Pedri nuk i kurseu kritikat ndaj gjyqtarit polak.
“Nuk është hera e parë që na ndodh kjo me këtë gjyqtar; UEFA duhet ta shqyrtojë këtë çështje. Ka gjëra që nuk i kuptoj dhe që janë të vështira për t’u shpjeguar.
Të gjitha rastet 50-50 vendosen në favor të tyre. Te penalltia e Lamine Yamalit, e cila më pas u shndërrua në faull, ai nuk i dha karton të verdhë Mkhitaryanit, që do të ishte i dyti për të”, kishte deklaruar Pedri.
Të njëjtin mendim e kishte ndarë edhe bashkëlojtari i tij, Inigo Martinez, i cili gjithashtu kishte shprehur pakënaqësi me vendimet e arbitrit.
“Të gjithë e kanë parë sot se vendimet shkuan në të njëjtën anë, por nuk dua që të flitet për këtë. Në fund, ai (gjyqtari) duhej të merrte vendime dhe i mori në atë mënyrë. Është për të ardhur keq”, kishte thënë Martinez./Telegrafi/





