Në qytetin turistik të Antalias në Turqi ka nisur të hënën, më 9 nëntor, konferenca e 31-të e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, COP31, ku përfaqësues nga e gjithë bota janë mbledhur për të diskutuar masat kundër ngrohjes globale.
Samiti, i cili do të zgjasë deri më 20 nëntor, zhvillohet në një kohë kur temperaturat globale vazhdojnë të rriten dhe shumë vende po përballen me pasoja gjithnjë e më të rënda të ndryshimeve klimatike, përfshirë valët e të nxehtit, përmbytjet dhe fatkeqësitë natyrore.

Në hapje të konferencës, drejtuesit e samitit kanë bërë thirrje për përshpejtimin e veprimeve ndërkombëtare, duke theksuar se përparimi i deritanishëm nuk është i mjaftueshëm për të përballuar krizën klimatike.
Sekretari ekzekutiv i OKB-së për Ndryshimet Klimatike, Simon Stiell, paralajmëroi se urgjenca e situatës kërkon rezultate më të shpejta dhe angazhim më të madh nga qeveritë.
Në qendër të diskutimeve do të jenë reduktimi i emetimeve të gazrave serrë, investimet në energjinë e pastër, përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike dhe mbështetja financiare për vendet më të cenueshme.
Një tjetër çështje e rëndësishme është kalimi gradual nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile drejt burimeve të ripërtëritshme të energjisë, si energjia diellore dhe ajo e erës.
Konferenca zhvillohet në një periudhë të ndërlikuar ndërkombëtare, ku konfliktet dhe pasiguria energjetike po ndikojnë edhe në politikat e shumë shteteve për furnizimin me energji.
Takimi i liderëve botërorë në kuadër të COP31 është paraparë të mbahet më 11 dhe 12 nëntor, ndërsa negociatat do të vazhdojnë deri në përfundim të konferencës.
Rezultatet e këtij samiti pritet të jenë me rëndësi për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për përcaktimin e hapave të ardhshëm në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Burimi: Dukagjini




