Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se nuk do ta kishte problem nëse Jensen Huang do të rikthehej në postin e drejtorit ekzekutiv të Nvidia-s, pas dorëheqjes së tij javën e kaluar, mes raportimeve për afera jashtëmartesore, përfshirë një lidhje të pretenduar me një spiune kineze.

“Unë nuk do ta kundërshtoja këtë. Besoj se ai ka nxjerrë një mësim të madh”, u tha Trump gazetarëve të hënën, transmeton Telegrafi.
Deklaratat e Trumpit vijnë në një kohë kur drejtues të industrisë së teknologjisë, përfshirë Elon Musk, kanë kërkuar rikthimin e Huangut në krye të kompanisë përmes një peticioni online, i cili ka mbledhur më shumë se 160 mijë nënshkrime.
I pyetur nëse u beson informacioneve të inteligjencës amerikane se Huangu kishte pasur një lidhje me një spiune kineze, Trump tha se nuk ishte i sigurt për këtë pretendim.
“Nuk e di nëse ajo është spiune kineze. Çdo grua që vjen në vend nga Kina dhe është e bukur, ata thonë se është spiune. Nuk e di nëse ajo ishte fare spiune”, deklaroi ai.
Huangu dhe Trumpi kishin krijuar një marrëdhënie të afërt. Drejtuesi i Nvidia-s ishte bërë një zë i rëndësishëm për SHBA-në në fushën e inteligjencës artificiale, ndërsa njëkohësisht kishte lobuar për lejimin e eksporteve të çipave drejt Kinës.
Trump u nis të hënën për një vizitë në Azi, e cila përfshin ndalesa në Kinë dhe Filipine. Në agjendën e udhëtimit pritet të jenë çështjet ekonomike, si dhe një takim me presidentin kinez, Xi Jinping.
Jensen Huang nuk është planifikuar të jetë pjesë e delegacionit, ndërsa drejtori ekzekutiv i Tesla-s dhe SpaceX-it, Elon Musk, do t’i bashkohet disa pjesëve të këtij udhëtimi. /Telegrafi/





