Kafshimi nga qeni, ndihma urgjente paraspitalore dhe masat parandaluese

Kafshimi nga qeni, ndihma urgjente paraspitalore dhe masat parandaluese

Kafshimi nga qeni, ndihma urgjente paraspitalore dhe masat parandaluese

Kafshimi nga qeni është dëmtim traumatik i lëkurës dhe indeve të buta, që mund të shkaktojë gjakderdhje, infeksione, dëmtime të nervave dhe enëve të gjakut, si dhe transmetimin e sëmundjeve infektive, veçanërisht tërbimit

Sponsor 3M Express

Prof. ass. Isuf Bajrami
Spec. i Mjekësisë Urgjente
Qendra e Mjekësisë Urgjente, Prishtinë

Kafshimi nga qeni është problem i rëndësishëm i shëndetit publik, për shkak të lëndimeve fizike, infeksioneve dhe rrezikut të transmetimit të tërbimit (rabies).

Njeriu sëmuret nga kafshimet e kafshëve të tërbuara ose edhe nga kontakti me jargët e kafshëve, kur lëkura e tij është e dëmtuar.

Qeni më shpesh kafshon gishtërinjtë, dorën apo cilëndo pjesë të trupit, kurse te fëmijët këmbët, kokën dhe barkun.

Qeni, me kafshimet e tij, mund të shkaktojë plagë shqyese dhe ndrydhje të indeve, që shpesh mund të paraqesin rrezik për jetën, nëse kafsha është e tërbuar.

Statistikat botërore

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH/WHO):

  • Rreth 59.000 persona vdesin çdo vit nga tërbimi në mbarë botën, kryesisht si pasojë e kafshimit nga qentë e infektuar.
  • Deri në 99% e rasteve të tërbimit te njerëzit lidhen me transmetimin nga qentë.
  • Rreth 40% e personave të ekspozuar ndaj kafshëve të dyshuara për tërbim janë fëmijë nën moshën 15 vjeç.
  • Afrika dhe Azia mbajnë barrën më të madhe të vdekjeve nga tërbimi.

Këto janë statistika për tërbimin dhe ekspozimin ndaj tij, jo për numrin e përgjithshëm të kafshimeve nga qentë.

Sipas OBSH-së, kafshimet nga qentë shkaktojnë dhjetëra miliona lëndime çdo vit në botë, por nuk ekziston një numër i saktë global. Vetëm në SHBA raportohen rreth 4,5 milionë kafshime në vit.

telegrafi.com

Ndihma urgjente paraspitalore

Qëllimi:

  • Sigurimi i jetës së pacientit.
  • Ndalimi i gjakderdhjes.
  • Parandalimi i infeksioneve.
  • Zvogëlimi i dhimbjes dhe komplikimeve.
  • Transportimi i sigurt në institucion shëndetësor.

Të aksidentuarin largojeni nga vendi i ngjarjes.

Qetësoni personin e aksidentuar, përdorni dorëza mbrojtëse ose, para se të pastroni plagën, lani mirë duart me sapun apo me mjete dezinfektuese.

Nëse plaga nuk gjakos, ajo menjëherë duhet të shpërlahet dhe të pastrohet me ujë të rrjedhshëm ose me sapun të butë për 3–5 minuta.

Plaga e shkaktuar nga kafshimet e kafshëve mbulohet me garzë sterile dhe fashohet

Nëse plaga gjakos shumë, është e dobishme të vendoset lidhësja elastike e gomës.

Në 24–48 orët e ardhshme duhet të përcillen shenjat e infeksionit të plagës (skuqja, ënjtja, dhimbja). Nëse janë të pranishme shenjat e infeksionit të plagës, kërkoni ndihmën e mjekut.

Përpunimi i mirë i plagës në vendin e ngjarjes pengon shfaqjen e sëmundjes së rëndë infektive, tërbimit, që për njeriun mund të jetë vdekjeprurës.

Pas dhënies së ndihmës së parë në terren, shpëtimtari duhet ta dërgojë të aksidentuarin në spital për trajtim të mëtejshëm.

Në kushte paraspitalore dhe spitalore, plaga përpunohet sipas parimeve të përgjithshme (shpëlarje, pastrim me mjete dezinfektuese: alkool, hidrogjen, povidon; antibiotikë, mbrojtje antitetanike dhe serum kundër kafshimit të qenit).

Procedura në urgjencën paraspitalore

Sigurimi i vendngjarjes: Largojeni personin nga qeni për të parandaluar kafshime të tjera dhe përdorni mjetet mbrojtëse personale.
Vlerësimi ABCDE: Kontrolli i rrugëve të frymëmarrjes, frymëmarrjes, qarkullimit, gjendjes neurologjike dhe ekspozimit të pacientit.
Kontrolli i gjakderdhjes: Ushtrimi i presionit direkt me garzë sterile. Në hemorragji masive të gjymtyrëve që nuk kontrollohet, përdorimi i turniketit sipas protokollit.
Pastrimi i plagës: Shpëlarja me ujë të rrjedhshëm dhe sapun për të paktën 15 minuta, pasi të jetë kontrolluar gjakderdhja.
Mbulimi i plagës: Vendosja e garzës sterile dhe fashimi. Mos përdorni alkool ose substanca irrituese brenda plagës.
Monitorimi: Kontrolli i pulsit, tensionit arterial, frymëmarrjes dhe vetëdijes.
Transportimi: Dërgimi i pacientit për vlerësim mjekësor, përfshirë profilaksinë kundër tërbimit dhe tetanozit.

Çfarë duhet të vlerësojë mjeku?

  • Nevojën për vaksinim kundër tërbimit.
  • Nevojën për vaksinën kundër tetanozit.
  • Nevojën për antibiotikë dhe trajtim të plagës.
  • Kur është urgjencë?
  • Kur gjakderdhja është e madhe ose nuk ndalet.
  • Kur kafshimi është në fytyrë, qafë apo duar.
  • Kur plaga është e thellë.
  • Kur qeni është i panjohur ose dyshohet për tërbim.

E rëndësishme: Nëse gjakderdhja është e rëndë, thirrni urgjencën menjëherë. Nëse lëkura është çarë, kërkoni vlerësim mjekësor po atë ditë, pa pritur shfaqjen e simptomave.

Komplikimet e mundshme

  • Hemorragjia.
  • Infeksioni i plagës.
  • Tetanozi.
  • Tërbimi (rabies).
  • Dëmtimi i muskujve, nervave dhe tendinave.
  • Shoku hemorragjik në rastet e rënda.

Masat parandaluese

Parandalimi i sëmundjes së tërbimit bazohet në radhë të parë në zhdukjen e qenve endacakë, maceve, dhelprave dhe ujqve dhe izolimin e kafshëve të dyshimta; në rast kafshimi duhet bërë vaksinimi.

  • Mos tentoni t’i ndani kafshët gjatë përleshjes së tyre.
  • Mos i lini fëmijët e vegjël në shtëpi të luajnë vetë me kafshët dhe këshillojini të mos i gjuajnë me sende të ndryshme, sidomos derisa janë duke ngrënë ushqim.
  • Këshillojini fëmijët të mos i ngacmojnë kafshët.
  • Shpeshherë mendojmë se kafshët shtëpiake nuk janë të sëmura.
  • Qentë e shtëpisë mbajini të lidhur në strehën e tyre.
  • Mos iu afroni kafshës së dyshimtë, e cila sillet në mënyrë të çuditshme.
  • Mos iu afroni qenve të panjohur ose agresivë.
  • Mos e ngacmoni qenin gjatë ushqyerjes, gjumit ose kujdesit për këlyshët.
  • Mos vraponi dhe mos bëni lëvizje të papritura përpara një qeni agresiv.
  • Vaksinimi i rregullt i qenve kundër tërbimit.
  • Edukimi i popullatës për sjelljen e sigurt ndaj kafshëve.

Parandalimi i komplikimeve pas kafshimit

  • Pastrimi i menjëhershëm dhe i plotë i plagës.
  • Përdorimi i teknikave aseptike gjatë trajtimit.
  • Vlerësimi i statusit të vaksinimit kundër tetanozit.
  • Vlerësimi urgjent i rrezikut për tërbim dhe fillimi i profilaksisë pas ekspozimit kur indikohet.
  • Përdorimi i antibiotikëve sipas vlerësimit mjekësor, sidomos në plagë me rrezik të lartë infeksioni.
  • Mbikëqyrja e shenjave të infeksionit: skuqje, ënjtje, dhimbje, qelb dhe temperaturë.
  • Njoftimi i autoriteteve përkatëse për kafshimet nga kafshët e dyshuara për tërbim.

Përfundimi

Në urgjencën paraspitalore, prioritet është siguria e vendngjarjes, vlerësimi ABCDE, kontrolli i hemorragjisë, pastrimi i plagës dhe transportimi i pacientit.

Masat parandaluese kanë rëndësi të veçantë për shmangien e infeksioneve, tetanozit dhe tërbimit.

Kujdes: Dyshimi për ekspozim ndaj tërbimit kërkon vlerësim urgjent mjekësor, sepse parandalimi duhet të fillojë përpara shfaqjes së simptomave.

Statistikat tregojnë se kafshimi nga qeni mbetet problem i rëndësishëm shëndetësor në botë dhe në Kosovë. Rritja e rasteve thekson nevojën për edukimin e popullatës, kontrollin e qenve endacakë, vaksinimin e kafshëve dhe ofrimin e ndihmës së parë në kohë. /Telegrafi/

Lexo edhe

Kush janë më të korruptuar, burrat apo gratë? (VIDEO)

Kush janë më të korruptuar, burrat apo gratë? (VIDEO)

Aksident i rëndë në Shqipëri, humb jetën efektivi i policisë

Aksident i rëndë në Shqipëri, humb jetën efektivi i policisë

Rama: Bashkë me banorët vendosim për të ardhmen e Ulpianës

Rama: Bashkë me banorët vendosim për të ardhmen e Ulpianës