Disa komisione parlamentare do të mbajnë mbledhje të martën, më 3 nëntor, ndërsa njëri prej tyre do të organizojë edhe dëgjim publik.
Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion do të shqyrtojë në parim Projektligjin për efiçiencë të energjisë, si dhe do të dëgjojë raportimin e anëtarëve të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës lidhur me gjendjen në këtë institucion.

Mbledhja e këtij komisioni është paraparë të nisë në orën 10:00, në sallën N-10.
Po në orën 10:00, do të mblidhet edhe Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, i cili do të shqyrtojë fushëveprimin dhe Planin e Punës për sesionin vjeshtor të vitit 2026.
Ndërkaq, Komisioni për Shëndetësi do të shqyrtojë Planin e Punës për sesionin vjeshtor 2026. Edhe kjo mbledhje është caktuar të mbahet në orën 10:00, në sallën N-303.
Përveç mbledhjeve, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion do të organizojë në orën 13:30 edhe një dëgjim publik për Projektligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi, në sallën N-506.
Burimi: Dukagjini




