Tre persona janë arrestuar dhe 18 të tjerë janë proceduar penalisht pas protestës së zhvilluar të shtunën në Tiranë, ku pati akte vandalizmi dhe përplasje me policinë. Ndër të arrestuarit është edhe një 15-vjeçar.
Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, njëri nga të arrestuarit, E.K., 33 vjeç, dyshohet se ka dëmtuar trafikndarëset dhe ka thyer stendat e reklamave në rrugën “Muhamet Gjollesha”.

I arrestuari i dytë, I.R., 23 vjeç, dyshohet se gjatë shoqërimit në komisariat ka goditur një zyrtar policor për shkak të detyrës.
Ndërkaq, 15-vjeçari akuzohet për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme, prishje të rendit dhe qetësisë publike, pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit, shkatërrim të pronës dhe mosbindje ndaj urdhrave të punonjësve të rendit publik.
Policia ka bërë të ditur se gjatë protestës janë vendosur edhe 44 masa administrative, në bazë të Aktit Normativ nr. 5, të datës 28 tetor 2026. Dy prej gjobave janë në vlerë prej 500 mijë lekësh secila, ndërsa 42 të tjerat janë për kundërvajtje të tjera administrative.
Protesta e së shtunës u zhvillua me më pak pjesëmarrës krahasuar me të shtunat e tjera. Gjatë saj, disa protestues u vunë flakën koshave të mbeturinave para Ministrisë së Arsimit, bllokuan qarkullimin në zonat e Zogut të Zi dhe 21 Dhjetorit, ndërsa u tentua edhe thyerja e derës së Kryesisë së Kuvendit.
Policia dhe Prokuroria po vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Burimi: Dukagjini





