Të përjashtuara nga talibanët në Afganistan, vajzat afgane po mbesin pa arsimim edhe në Iran e Pakistan

Të përjashtuara nga talibanët në Afganistan, vajzat afgane po mbesin pa arsimim edhe në Iran e Pakistan

Të përjashtuara nga talibanët në Afganistan, vajzat afgane po mbesin pa arsimim edhe në Iran e Pakistan

Qindra vajza dhe gra afgane që u larguan nga vendi i tyre për t’i vazhduar studimet, po përballen me pengesa edhe në Iran dhe Pakistan, për shkak të kufizimeve të qëndrimit dhe dëbimeve masive të shtetasve afganë.

Pasi talibanët ua ndaluan shkollimin në Afganistan, shumë prej tyre shpresuan të vazhdonin arsimin në vendet fqinje. Por mungesa e dokumenteve të vlefshme po ua mbyll edhe këto dyer, raporton Radio Evropa e Lirë.

Sponsor 3M Express

Zahra ishte vetëm disa muaj larg përfundimit të studimeve për mjekësi në Kabul, kur talibanët ua ndaluan grave vijimin e studimeve universitare. Ajo u zhvendos në Iran bashkë me familjen, por katër vjet më vonë mbeti pa mundësi për të studiuar, pasi i skadoi viza.

“Viza jonë skadoi shpejt dhe, pa leje qëndrimi të ligjshme, na u mohua e drejta për të studiuar”, tha ajo për REL-in.

Zahra thotë se nuk është e vetmja që po përballet me këtë problem, pasi shumë vajza afgane në Iran nuk po arrijnë të regjistrohen në institucione arsimore.

Një tjetër grua afgane, Roya, u largua nga vendi i saj për të vazhduar studimet master, por universitetet iraniane ia refuzuan aplikimin, pavarësisht se kishte diplomë bachelor, për shkak të mungesës së lejes së qëndrimit.

Ndërkohë, rreth 1.9 milion afganë u kthyen nga Irani gjatë vitit 2025, përfshirë 1.26 milionë që u dëbuan. Dëbimet vazhduan edhe këtë vit dhe deri më 12 tetor, sipas të dhënave të OKB-së, afro 492 mijë e 300 afganë ishin dëbuar.

Në mars të vitit 2025, skaduan edhe dokumentet që u kishin siguruar status të përkohshëm ligjor rreth dy milionë afganëve në Iran. Më pas, autoritetet kufizuan qasjen në shërbime, përfshirë arsimimin, për të huajt pa dokumente të vlefshme.

Zyrtarët iranianë thonë se fëmijët afganë mund të ndjekin shkollën nëse prindërit e tyre kanë leje të vlefshme qëndrimi. Megjithatë, shumë familje nuk po arrijnë t’i plotësojnë këto kushte.

Edhe në Pakistan mbeten jashtë shkollave

Situatë të ngjashme po përjeton edhe Nilofar, e cila ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme në Afganistan kur talibanët ia ndërprenë arsimimin.

Ajo u largua drejt Pakistanit me shpresën se do të vazhdonte shkollimin, por nuk arriti të regjistrohej në asnjë shkollë, pasi nuk siguroi leje qëndrimi. Aktualisht ndjek vetëm një kurs të gjuhës angleze.

“Erdha në Pakistan për të marrë një arsimim të mirëfilltë. Tani, e vetmja gjë që mund të bëj është të ndjek kurse herë pas here”, tha ajo për REL-in.

Kufizimet kanë prekur edhe qindra studentë afganë të mjekësisë që tashmë studionin në Pakistan. Këshilli Mjekësor dhe Dentar i këtij vendi urdhëroi kthimin e tyre në Afganistan dhe u kërkoi kolegjeve të mos ua mundësonin regjistrimin për këtë vit akademik.

Gjykatat pakistaneze kanë nxjerrë vendime të përkohshme që i mbrojnë studentët nga dëbimi i menjëhershëm, por e ardhmja e tyre mbetet e pasigurt.

Sipas UNHCR-së dhe Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, më shumë se 2.39 milionë afganë janë kthyer nga Pakistani në periudhën nga shtatori i vitit 2023 deri më 16 maj 2026.

Nilofar thotë se vitet e humbura të shkollimit kanë ndikuar drejtpërdrejt në të ardhmen e saj.

“Nëse do ta kisha vazhduar shkollën gjatë këtyre katër apo pesë viteve të fundit, tani do të isha në semestrin e katërt të universitetit”, tha ajo, duke shtuar se kursi i anglishtes nuk mund ta zëvendësojë shkollimin.

2.4 milionë vajza të privuara nga arsimi

Talibanët ua ndaluan vajzave vijimin e shkollimit përtej klasës së gjashtë në mars të vitit 2022, ndërsa në dhjetor të po atij viti ndaluan edhe studimet universitare për gratë. Në dhjetor të vitit 2024, atyre iu ndalua edhe ndjekja e kurseve të trajnimit mjekësor.

Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 2.4 milionë vajza në Afganistan janë privuar nga arsimi i mesëm që nga rikthimi i talibanëve në pushtet, në gusht të vitit 2021.

Afganistani mbetet i vetmi vend në botë ku vajzave dhe grave u ndalohet zyrtarisht arsimi i mesëm dhe i lartë.

Burimi: Dukagjini

Lexo edhe

Tre persona të arrestuar pas protestës në Tiranë – 18 të tjerë procedohen penalisht

Tre persona të arrestuar pas protestës në Tiranë – 18 të tjerë procedohen penalisht

Pas katër ditësh kërkimi, gjendet në Prishtinë 31-vjeçari i raportuar i zhdukur në Ferizaj

Pas katër ditësh kërkimi, gjendet në Prishtinë 31-vjeçari i raportuar i zhdukur në Ferizaj

Gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026 numri i viktimave në komunikacion është ulur për mbi 35 për qind

Gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026 numri i viktimave në komunikacion është ulur për mbi 35 për qind