Një 18-vjeçar shqiptar është dënuar nga drejtësia franceze, pasi u kap duke transportuar mbi 3.5 kilogramë kokainë dhe heroinë, të fshehura në një bateri të modifikuar të një automjeti Mercedes.

Bëhet fjalë për E.K, i cili u arrestua më 29 qershor 2026, gjatë një kontrolli të doganierëve në Toulouse-le-Château, në rajonin Jura të Francës.
Gjatë kontrollit të automjetit, autoritetet zbuluan një bateri të rreme, të vendosur nën baterinë origjinale, ku ishin fshehur 2.36 kilogramë kokainë dhe 1.23 kilogramë heroinë.
Sipas raportimit të gazetës franceze L’Est Républicain, i riu kishte udhëtuar me avion nga Tirana drejt Brukselit, ku kishte marrë në dorëzim automjetin Mercedes, të cilin duhej ta transportonte përmes Francës.
Për këtë shërbim, ai kishte pranuar një pagesë prej 400 deri në 500 eurosh nga një person që pothuajse nuk e njihte.
Plani u zbulua pasi një patrullë doganore e ndaloi automjetin gjatë natës. Për shkak të shiut, doganierët i kërkuan shoferit të zhvendosej në një vend të mbrojtur. Kur automjeti pati nevojë për një pajisje ndihmëse për ndezje, kontrolli i baterisë çoi në zbulimin e drogës së fshehur.
Gjatë procesit gjyqësor, 18-vjeçari, i cili nuk fliste frëngjisht, deklaroi se ishte penduar për veprimet e tij. Ai kishte treguar se në Shqipëri kishte punuar si kamerier dhe ishte në vështirësi financiare, ndërsa synonte të ndihmonte familjen e tij.
Më 9 nëntor, Gjykata e Lons-le-Saunier e dënoi me 18 muaj burgim, me mbajtje në paraburgim, si dhe me ndalim të hyrjes në territorin francez për 10 vjet. Përveç kësaj, ndaj tij u shqiptua një gjobë prej 805 mijë e 690 eurosh, ndërsa automjeti Mercedes u konfiskua.
Shuma e gjobës është llogaritur mbi bazën e vlerës së drogës së sekuestruar, e cila sipas vlerësimit të autoriteteve arrinte deri në 1.3 milionë euro./Telegrafi/





