Për vite me radhë, inteligjenca e tij ishte keqkuptuar dhe aftësia për të komunikuar ishte konsideruar pothuajse e pamundur. Por Payam, një 24-vjeçar me autizëm, ka arritur të dëshmojë se vështirësitë në të folur nuk nënkuptojnë mungesë të mendimit apo të kuptuarit.

I diagnostikuar me autizëm në moshën trevjeçare, Payam nuk kishte të folur funksional dhe për një kohë të gjatë nuk arrinte t’i shprehte mendimet e tij përmes fjalëve.
Ai kujton se që në moshën nëntëvjeçare kishte frikë se mund të mbetej i bllokuar përgjithmonë në heshtje, pa pasur mundësi që të tjerët ta njihnin botën e tij të brendshme.
Situata filloi të ndryshonte kur, në moshën 14-vjeçare, u njoh me metodën Rapid Prompting Method (RPM), e cila e ndihmoi të komunikonte duke formuar fjalë përmes tabelave me shkronja.
Vetëm dy vjet pasi mësoi këtë mënyrë komunikimi, në vitin 2018, Payam mbajti një fjalim për të drejtat e personave autikë para rreth 250 personave në Institutin e Teknologjisë në Georgia.
Një vit më vonë, ai prezantoi një fjalim për empatinë në një simpozium për autizmin në Australi dhe foli për të drejtat e personave autikë edhe në Kombet e Bashkuara, në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin.
Tashmë, në moshën 24-vjeçare, Payam ka publikuar librin e tij të parë, të titulluar “Joy and the Moon”, një përmbledhje me katër përralla që trajtojnë neurodivergjencën, vështirësitë e komunikimit dhe bukurinë e një bote që shpesh mbetet e padëgjuar.
Ai ia ka kushtuar librin të gjithë njerëzve që keqkuptohen, si dhe nënës së tij, Parisa Khosravi, e cila nuk hoqi dorë kurrë nga përpjekjet për ta ndihmuar të shprehte mendimet e tij.
“Dallimet janë bukuritë tona të përbashkëta”, është një nga mesazhet e Payamit në librin e tij.
Historia e tij rikthen në vëmendje rëndësinë e mosgjykimit të personave me autizëm nga mënyra se si komunikojnë, pasi mungesa e të folurit nuk do të thotë mungesë e inteligjencës apo e mendimeve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





