Gjendja në sektorin e energjisë elektrike, çmimet e larta të importit dhe problemet me furnizim kanë shtyrë Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të kërkojë debat parlamentar në Kuvendin e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka bërë të ditur se është arritur pajtim që debati për këtë çështje të mos mbahet këtë javë, por të shtyhet për javën e ardhshme.
Tahiri ka kritikuar situatën në sektorin energjetik, duke pretenduar se Kosova po paguan çmimin më të lartë të energjisë elektrike në Ballkanin Perëndimor, ndërsa njëri nga blloqet kryesore të prodhimit, B1, vazhdon të jetë jashtë funksionit.
“Kërkesa jonë për debat për energji dhe dështimet që kanë ndodhur në këtë sektor, çmimet e larta, u dakorduam të mos mbahet këtë javë, por javën e ardhshme”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka shprehur shqetësim edhe për gjendjen e furnizimit me energji elektrike në vend.
“Sot Kosova është duke blerë me çmimin më të lartë të energjisë në nivel të Ballkanit Perëndimor, blloku më i rëndësishëm B1 është jashtë funksionit. Sot Kosova në shumicën e qyteteve gjendet në terr”, ka thënë Tahiri. /Telegrafi/




