Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga operacioni “Polinomi 2”, i zhvilluar në Shkodër, ku janë sekuestruar rreth 77 kilogramë kanabis, armë zjarri dhe municion, ndërsa dy persona janë arrestuar dhe një 24-vjeçar është shpallur në kërkim.

Operacioni është finalizuar pas katër muajsh hetime me metoda proaktive nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë.
Në pranga kanë rënë dy vëllezër, një 49-vjeçar nga fshati Abat dhe një 57-vjeçar nga fshati Grudë e Re. Ndërkaq, në kërkim është shpallur djali i 57-vjeçarit, 24 vjeç.
Gjatë kontrollit në banesën e 49-vjeçarit janë gjetur dhe sekuestruar 10 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Ndërsa në banesën e 57-vjeçarit janë sekuestruar rreth 66.8 kilogramë kanabis, një pistoletë me krehër dhe fishekë, një pushkë pneumatike, municion për armë zjarri dhe armë gjahu, si dhe aksesorë armësh.
Policia ka sekuestruar gjithashtu një shkop metalik, dy radio marrëse-dhënëse, një peshore elektronike, dy kamera dhe një monokular.
Sipas Policisë së Shtetit, operacioni “Polinomi 2” është vazhdim i operacionit “Polinomi”, ndërsa vijon puna për kapjen e 24-vjeçarit dhe dokumentimin e plotë të veprimtarive të dyshuara kriminale. /Telegrafi/




