Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar sot nga një muaj paraburgim ndaj të pandehurve I.S., F.S., A.C., A.E. dhe V.S., dy ditë pas sekuestrimit të 37 kilogramëve narkotikë në një aksion nga Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Dy nga personat e arrestuar janë shtetas turq, një shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe dy shtetas të Kosovës.
Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar, lidhur me veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope.
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, në një konferencë për media dje tha se aksioni është rezultat i një hetimi të nisur së fundmi, bazuar në informacione të siguruara nga AKI.
Ndërsa, prokurori i rastit, Atdhe Dema, bëri të ditur se vlera e sasisë së sekuestruar të narkotikëve vlerësohet rreth 550 mijë euro.
Përveç narkotikëve, policia ka sekuestruar edhe 5 mijë e 300 euro dhe 100 dollarë para të gatshme, një veturë, dhjetë telefona celularë, një pajisje DVR për kamerat e sigurisë, 15 fishekë dhe një prerëse.
Sipas hetimeve, dyshohet se grupi kriminal sasinë e narkotikut e ka transportuar të kamufluar në mallra komerciale nga vendet aziatike të Lindjes së Mesme.




