Një deklaratë tronditëse ka ardhur nga Iraku, ku një anëtar i bordit drejtues të klubit Al-Shorta ka kërcënuar me ekzekutim sulmuesin e Hammarbyt, Montader Madjed, pasi ky i fundit refuzoi ftesën për t’iu bashkuar kombëtares së Irakut.

Adi al-Rubaie bëri deklaratën gjatë një emisioni televiziv në Irak, duke reaguar ashpër ndaj vendimit të futbollistit 21-vjeçar për të mos u paraqitur gjatë pushimit të ardhshëm ndërkombëtar.
“Kushdo që nuk respekton emrin e vendit tim, do ta ekzekutoj”, deklaroi al-Rubaie, sipas raportimeve të mediumit gjerman t-online. Kur moderatori e pyeti nëse ky ishte një reagim i tepruar, ai u përgjigj prerazi: “Jo, nuk është i tepruar”.
Sipas mediave suedeze, zyrtari beson gjithashtu se Madjed nuk duhet të luajë më kurrë për Kombëtaren e Irakut.
Deklarata ka shkaktuar reagime të forta, ndërsa Federata Irakiane e Futbollit e ka dënuar ashpër gjuhën e përdorur. Ahmed Al-Falluji, i cili merret me futbollistët me shtetësi të dyfishtë në kuadër të federatës, e cilësoi kërcënimin si të neveritshëm dhe kërkoi që të ndërmerren masa ligjore ndaj personit përgjegjës.
“Kjo është e neveritshme dhe duhet të ndërmerren hapa ligjorë kundër personit që e bëri këtë deklaratë”, u shpreh ai për mediumin suedez Swed24.
Deri më tani, as Madjed dhe as klubi i tij Hammarby nuk kanë reaguar publikisht. Vetë futbollisti kishte deklaruar më herët për Fotbollskanalen se ndodhet në një situatë të vështirë me kombëtaren irakiane, pasi çështja ende nuk është sqaruar.
Marrëdhënia mes Madjedit dhe Kombëtares së Irakut është tensionuar që nga fillimi i vitit. Sulmuesi, i cili më parë kishte luajtur për grupmoshat e Suedisë, në vitin 2023 vendosi të përfaqësonte Irakun.
Situata u përkeqësua pasi në rrjetet sociale u publikua një video ku disa persona të afërt me të talleshin me përfaqësuesen irakiane. Madjed më vonë pranoi për televizionin suedez SVT se kishte bërë disa gabime. Pas kësaj, ai nuk u përfshi në skuadrën e Irakut për Kupën e Botës./Telegrafi/




