Një deklaratë e rëndë ka shkaktuar reagime të shumta në Irak, pasi një anëtar i bordit drejtues të klubit Al-Shorta ka kërcënuar me ekzekutim sulmuesin e Hammarbyt, Montader Madjed, pas vendimit të këtij të fundit për të refuzuar ftesën e Kombëtares së Irakut.

Adi al-Rubaie e bëri deklaratën gjatë një emisioni televiziv në Irak, ku reagoi ashpër ndaj vendimit të futbollistit 21-vjeçar për të mos iu bashkuar përfaqësueses gjatë pushimit të ardhshëm ndërkombëtar.
“Kushdo që nuk respekton emrin e vendit tim, do ta ekzekutoj”, deklaroi Al-Rubaie, sipas raportimeve të mediumit gjerman t-online.
Kur moderatori e pyeti nëse ky reagim ishte i tepruar, ai u përgjigj prerazi: “Jo, nuk është i tepruar”.
Sipas mediave suedeze, zyrtari irakian beson gjithashtu se Madjed nuk duhet të luajë më për Kombëtaren e Irakut.
Deklarata ka nxitur reagime të forta, ndërsa Federata Irakiane e Futbollit e ka dënuar ashpër gjuhën e përdorur. Ahmed Al-Falluji, përgjegjës për futbollistët me shtetësi të dyfishtë në kuadër të federatës, e cilësoi kërcënimin si të neveritshëm dhe kërkoi ndërmarrjen e masave ligjore ndaj personit përgjegjës.
“Kjo është e neveritshme dhe duhet të ndërmerren hapa ligjorë kundër personit që e bëri këtë deklaratë”, u shpreh ai për mediumin suedez Swed24.
Deri më tani, as Madjed dhe as klubi i tij, Hammarby, nuk kanë reaguar publikisht lidhur me kërcënimin. Vetë futbollisti kishte deklaruar më herët për Fotbollskanalen se ndodhej në një situatë të vështirë me Kombëtaren e Irakut, pasi çështja ende nuk ishte sqaruar.
Marrëdhëniet mes Madjed dhe përfaqësueses irakiane janë tensionuar që nga fillimi i këtij viti. Sulmuesi, i cili më parë kishte luajtur për grupmoshat e Suedisë, në vitin 2023 kishte vendosur ta përfaqësonte Irakun.
Situata u përkeqësua pasi në rrjetet sociale u publikua një video, në të cilën disa persona të afërt me futbollistin talleshin me përfaqësuesen irakiane. Më vonë, Madjed pranoi për televizionin suedez SVT se kishte bërë disa gabime.
Pas këtyre zhvillimeve, ai nuk u përfshi në skuadrën e Irakut për Kupën e Botës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




