Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se Shqipëria dhe Kosova janë të interesuara për përfshirjen e Japonisë në projektin strategjik të hekurudhës Durrës–Prishtinë, e cila parashihet të vazhdojë drejt Nishit dhe të lidhet me rrjetin hekurudhor të Evropës Qendrore.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka ndarë detaje nga takimi me një përfaqësi të gjerë të sipërmarrjes japoneze, para së cilës ka prezantuar mundësinë e investimit japonez në këtë projekt të rëndësishëm infrastrukturor.
Kreu i qeverisë shqiptare ka bërë të ditur se këtë çështje e ka diskutuar në disa raste edhe me kryeministrin e Kosovës, duke theksuar gatishmërinë e të dyja vendeve për të bashkëpunuar me investitorë japonezë në realizimin e projektit.
Sipas planit të prezantuar nga Rama, linja hekurudhore do të nisë nga Durrësi, do të kalojë në Prishtinë dhe më pas do të vazhdojë drejt Nishit, prej nga do të lidhet me rrjetin hekurudhor të Evropës Qendrore.
Përveç rëndësisë ekonomike dhe të transportit, Rama ka vënë në pah edhe dimensionin e sigurisë dhe mbrojtjes, duke e cilësuar projektin me rëndësi strategjike për NATO-n. Kjo, sipas tij, lidhet edhe me portin e ri të Durrësit, i cili parashihet të ketë një degë të dedikuar për veprimtaritë ushtarake dhe ato të Aleancës.
Gjatë takimit me përfaqësuesit japonezë, Rama i ka ftuar ata që ta shqyrtojnë projektin dhe të japin mendimin e tyre për mundësinë e përfshirjes në investim.
” Së bashku me Kryeministrin e Kosovës kemi biseduar më shumë se një herë se sa mirë do të ishte ta përfshinim Japoninë në projektin e hekurudhës së re nga Durrësi në Prishtinë, e cila më pas kalon nëpër Nish dhe lidhet me Europën Qendrore. Kjo hekurudhë ka gjithashtu rëndësi shumë, shumë të madhe për NATO-n për shkak të Portit të ri në Durrës, i cili do të ketë edhe një degë të dedikuar 100% për veprimtaritë ushtarake dhe ato të NATO-s.
Ky mund të jetë një investim shumë interesant. Nëse e shqyrtoni projektin, do të na vinte shumë mirë të dëgjonim mendimin tuaj. Së bashku me Qeverinë e Kosovës, jemi gati të punojmë me ju ose me cilindo partner nga Japonia për të parë nëse mund ta realizojmë këtë projekt.”, tha Rama.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





