Shqipe Selimi, bashkëshortja e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Rexhep Selimi, ka reaguar pas vendimeve të fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë, duke i cilësuar ato si një tjetër përshkallëzim të padrejtësisë.

Përmes një reagimi të publikuar të martën, pas dënimit të Hashim Thaçit, Fadil Fazliut, Bashkim Smakajt dhe Hajredin Kuçit për veprat që lidhen me pengimin e pretenduar të drejtësisë, Selimi ka shprehur pakënaqësinë e saj me vendimet e gjykatës.
“Sot ndodhi edhe një përshkallëzim tjetër i padrejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë”, ka shkruar ajo.
Në reagimin e saj, Selimi ka përmendur edhe aktgjykimet e mëparshme të kësaj gjykate ndaj Hysni Gucatit, Nasim Haradinajt, Haxhi Shalës, Sabit Jonuzajt, Ismet Bahtjarit, Pjetër Shalës dhe Salih Mustafës, si dhe vendimin e 16 shtatorit 2026 ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Megjithatë, ajo ka theksuar se përpjekjet për drejtësi duhet të vazhdojnë edhe në fazat e tjera të procedurave gjyqësore.
“Ne presim dhe duhet të vazhdojmë të luftojmë për drejtësi edhe në fazat e tjera gjyqësore”, ka theksuar Selimi.
Në fund, ajo ka përshëndetur vendimin për shpalljen e pafajësisë dhe lirimin e ish-kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Kilaj.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





