Tifozëve të një klubi futbolli me lidhje me komunitetin palestinez në Kili u është penguar përkohësisht hyrja në koncertin e këngëtarit britanik Ed Sheeran, për shkak se mbanin të veshura fanellat e ekipit. Incidenti ndodhi të shtunën në stadiumin Bicentenario de La Florida, në Santiago.

Sipas dy pjesëmarrësve në koncert, pjesëtarët e sigurimit në hyrje u kishin thënë se nuk mund të futeshin në stadium për shkak të bluzave të Club Deportivo Palestino, një klub futbolli kilian që ka lidhje historike dhe simbolike me komunitetin e madh palestinez në këtë vend.
Një video e publikuar nga mediat kiliane shfaq pjesëtarët e sigurimit duke ndaluar një grup tifozësh në hyrje të stadiumit. Edhe pse më vonë u është lejuar hyrja, ata pretendojnë se, për shkak të pengesave, kanë humbur tri këngët e para të performancës së Sheeran.
Pas incidentit ka reaguar edhe Club Deportivo Palestino, i cili përmes një deklarate zyrtare e dënoi ashpër atë, duke e cilësuar si diskriminim.
Klubi e përshkroi ngjarjen si “një akt absolutisht të papranueshëm diskriminimi që fyen dinjitetin e njerëzve dhe shkel parimet themelore të respektit, barazisë dhe lirisë së shprehjes”.
Gjithashtu, bëri të ditur se kishte kontaktuar organizatorët e koncertit, duke kërkuar sqarime për atë që kishte ndodhur.
Klubi shprehu mbështetje edhe për personat që pretendojnë se janë përballur me këtë situatë, duke u ofruar ndihmë për të vlerësuar hapat e mëtejshëm dhe mundësinë e ndjekjes së çështjes në rrugë ligjore.
“Ne ofrojmë mbështetje për të gjithë njerëzit që kanë kaluar nëpër këtë situatë në mbledhjen e informacionit, vlerësimin e hapave të mëtejshëm dhe ofrimin e udhëzimeve dhe ndihmës ligjore”, thuhet në deklaratën e klubit.
Në reagimin e tij, klubi theksoi se nuk do të pranojë normalizimin e diskriminimit dhe se identiteti i komunitetit palestinez duhet të respektohet.
“Ne nuk do të normalizojmë asnjë formë diskriminimi. Identiteti ynë meriton respekt dhe ata që e shprehin atë kanë të njëjtën të drejtë si të gjithë të tjerët për të shijuar performancën, pa përjashtim ose pyetje.”
Ndërkohë, Ed Sheeran është përballur edhe më herët me kritika lidhur me qëndrimet ndaj çështjes palestineze. Në fillim të këtij viti, reperi Macklemore, i cili ka shprehur publikisht mbështetjen për çlirimin e Palestinës, u hoq nga lista e artistëve pjesëmarrës në turneun e Sheeran.
Vendimi u mor pas presionit të ushtruar ndaj këngëtarit britanik, ndërsa së fundmi ai është kritikuar edhe nga producenti muzikor Jack Antonoff, i cili kundërshtoi idenë që thirrjet për çlirimin e Palestinës të konsiderohen të diskutueshme.
“Ed Sheeran humbi një mundësi të madhe dhe të shkëlqyer këtu: ai mund ta kishte anuluar të gjithë atë turne, të kishte luajtur para çdo stadiumi falas dhe të kishte mbledhur një grusht parash, në vend që të lejonte ndonjë miliarder t’i tregonte se çfarë të bënte”, deklaroi Antonoff.
Ai shtoi se ndikimi i miliarderëve në vendimmarrjen e të tjerëve nuk duhet të shihet si diçka e pazakontë, duke bërë thirrje për qëndrim publik ndaj kësaj çështjeje.
“Nuk është ndonjë anomali apo problem anësor, është fakti që të gjithë jetojmë në një botë ku miliarderët na thonë vazhdimisht se çfarë të bëjmë. Pra, largohuni dhe merrni një qëndrim.”
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





