Përzgjedhja e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka hasur sërish në pengesa, pasi asnjëri nga gjashtë kandidatët shqiptarë që kishin plotësuar kriteret për intervistim nuk është paraqitur para Komisionit ad hoc.

Për pasojë, konkursi për dy pozitat e rezervuara për komunitetin shqiptar do të rishpallet. Kjo u bë e ditur në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite ishte zgjedhja e dy anëtarëve nga komuniteti shqiptar, një anëtari nga komuniteti serb dhe një anëtari nga komunitetet e tjera joshumicë në Bordin e RTK-së.
Kryesuesja e Komisionit ad hoc, Arbërie Nagavci, njoftoi deputetët se gjashtë kandidatë shqiptarë i kishin plotësuar kriteret për të kaluar në fazën e intervistimit, por asnjëri prej tyre nuk ishte paraqitur. Sipas saj, njëri kandidat kishte njoftuar se ndodhej jashtë vendit, ndërsa pesë të tjerët nuk kishin dhënë ndonjë njoftim për pjesëmarrjen.
Mungesa e kandidatëve nxiti reagime nga deputetët e opozitës. Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se kandidatët nuk kishin dështuar në plotësimin e kritereve, por ishin tërhequr nga gara.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, bëri të ditur se njëri prej kandidatëve kishte kërkuar që intervistimi të zhvillohej online, ndërsa të tjerët ishin tërhequr nga procesi.
Musliu, Zemaj dhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, kritikuan mënyrën e zhvillimit të proceseve për përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve publike, duke ngritur shqetësime për ndikimin politik dhe mungesën e mundësive të barabarta për kandidatët.
Ndërkohë, procedura për pozitat e rezervuara për komunitetet joshumicë po vazhdon. Për anëtarin nga komuniteti serb janë propozuar Ana Kostiq dhe Tamara Jorgiq, ndërsa për pozitën e rezervuar për komunitetet e tjera joshumicë janë propozuar Zyleha Ustaibovecihan dhe Aldin Shabani.
Kuvendi po zhvillon votimin e fshehtë për kandidatët e propozuar nga komunitetet joshumicë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





