Izraeli ka institucionalizuar përdorimin e torturës për të nxjerrë rrëfime nga të burgosurit palestinezë, duke dokumentuar në disa raste abuzimet në procesverbalet zyrtare ose duke dhënë miratim paraprak për përdorimin e “masave të posaçme” gjatë marrjes në pyetje. Kështu thuhet në një raport të Komitetit Publik Kundër Torturës në Izrael (PCATI).

Kjo praktikë e rrezikshme rrezikon të çojë në gabime të pakthyeshme në dhënien e drejtësisë, në kohën kur Izraeli po përgatitet të zbatojë një ligj të ri diskriminues për dënimin me vdekje, i cili synon palestinezët, thuhet në raport.
PCATI ka shqyrtuar 42 raste në të cilat palestinezët kanë paraqitur ankesa për përdorimin e torturës nga hetuesit e Shërbimit të Sigurisë së Brendshme të Izraelit, Shin Bet, gjatë dekadës së fundit.
Më shumë se tri të katërtat e të anketuarve thanë se kishin pranuar fajësinë pas përdorimit të “torturës ose metodave të tjera të paligjshme”, ndërsa një në dhjetë kishte dhënë deklarata inkriminuese për persona të tjerë nën torturë.
“Kur bëhet fjalë për të ndaluarit palestinezë, sistemi ligjor izraelit e sanksionon zyrtarisht torturën si mjet për nxjerrjen e rrëfimeve, pavarësisht nëse përmbajtja e këtyre rrëfimeve është e vërtetë”, tha Sari Bashi, drejtoreshë ekzekutive e PCATI-t.
“Tortura si mjet i marrjes në pyetje është veçanërisht e rëndë, duke pasur parasysh nismat për vendosjen e dënimit me vdekje në Izrael për herë të parë që nga viti 1962”.
Gjatë viteve, në qindra dëshmi, të ndaluarit palestinezë kanë përshkruar vazhdimisht marrje në pyetje që përfshijnë privim ekstrem nga gjumi, dhunë fizike, si goditje me shuplaka dhe shqelma, kërcënime, dhunë seksuale dhe mbajtje në pozita të detyruara që shkaktojnë dhimbje.
Një pjesë e këtyre abuzimeve është përshkruar edhe në dokumentet zyrtare të Shin Bet-it, shërbimit izraelit të sigurisë së brendshme. PCATI përmend rastin e një avokati palestinez, i cili u arrestua në shkurt të vitit 2019 dhe iu nënshtrua privimit ekstrem nga gjumi.
Gjatë një periudhe marrjeje në pyetje që zgjati 27.5 ditë, apo 660 orë, ai u mor në pyetje për më shumë se 552 orë, mesatarisht 20 orë në ditë. Një nga seancat zgjati pothuajse 48 orë. Një pjesë e 108 orëve të mbetura u shpenzua në udhëtime dhe në seancat gjyqësore për paraburgimin.
Në një vendim të vitit 1999, Gjykata Supreme e Izraelit e ndaloi shprehimisht privimin nga gjumi si metodë të qëllimshme të marrjes në pyetje. Pavarësisht kësaj, avokati u dënua për përfshirje në sulme me armë zjarri, bazuar në informacionet e nxjerra gjatë kësaj periudhe.
Inspektori shtetëror përgjegjës për ankesat lidhur me marrjen në pyetje nga Shin Bet (Mavtan) vendosi se hetimet ishin zhvilluar në përputhje me procedurat, sipas PCATI-t.
Mes viteve 2001 dhe 2024, në Mavtan janë paraqitur më shumë se 1 mijë e 680 ankesa për torturë. Asnjëra prej tyre nuk ka përfunduar me ngritjen e aktakuzës.
Raste të tjera janë dokumentuar në mënyrë të tërthortë në procesverbalet gjyqësore izraelite, ndonëse gjyqtarët rrallëherë i pranojnë dëshmitë për torturimin e palestinezëve, sipas PCATI-t.
Në një rast, një rrëfim i rremë i një të ndaluari, i marrë nën torturë, ishte përdorur nga prokurorët si provë. Burri u lirua pasi avokati i tij paraqiti dëshmi se ai nuk ndodhej në vendin ku ishte kryer krimi, sipas raportit.
Privimi nga gjumi ishte forma më e shpeshtë e torturës në ankesat e shqyrtuara nga PCATI, por më shumë se gjysma e rasteve përfshinin edhe përdorimin e pozitave të detyruara dhe formave të tjera të dhunës fizike.
Izraeli është nënshkrues i Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Torturës, por sistemi i tij ligjor, sipas PCATI-t, e ka përfshirë praktikisht në legjislacion përdorimin e dhunës dhe abuzimit në rastet kur ato konsiderohen “të nevojshme” për nxjerrjen e informacioneve që mund të shpëtojnë jetë.
Gjatë të ashtuquajturave “marrje në pyetje për domosdoshmëri” ose “hetime ushtarake”, zyrtarët e Shin Bet-it torturojnë të ndaluarit “pas konsultimit me eprorët e tyre dhe ndjekjes së një procedure të brendshme për dokumentimin e vendimeve dhe veprimeve të tyre”, thuhet në raport.
“Një përjashtim që supozohej të ishte i kufizuar u zgjerua dhe u shndërrua në një sistem të gjerë përjashtimesh ligjore dhe administrative, të cilat e përpinë rregullin e ashtuquajtur, duke mundësuar përdorimin e dhunës, ndërkohë që ruhej vetëm pamja e ndalimit të saj”, vijon raporti.
PCATI thotë se nuk ka informacione publike për përmasat e “marrjeve në pyetje për domosdoshmëri” brenda Shin Bet-it. Kjo praktikë përbën shqetësim urgjent, në kohën kur Izraeli po lëviz drejt përfundimit të moratoriumit de facto për dënimin me vdekje, i cili ishte në fuqi që nga ekzekutimi i kriminelit nazist të luftës, Adolf Eichmann, në vitin 1962.
“Dënimi me vdekje është gjithmonë i gabuar, sepse është mizor, i pakthyeshëm dhe mohon të drejtën për jetë. Askush nuk duhet të ekzekutohet, veçanërisht jo në një sistem të njollosur nga dhuna sistematike”, tha Bashi.
Në mars, Knesseti miratoi një ligj diskriminues që lejon ekzekutimin e palestinezëve të dënuar për akuza terrorizmi lidhur me sulme vdekjeprurëse, por jo të izraelitëve hebrenj që kryejnë krime të ngjashme.
Në Bregun Perëndimor të pushtuar, ku palestinezët gjykohen nga gjykatat ushtarake, ekzekutimi tashmë është dënimi i paracaktuar për të akuzuarit që shpallen fajtorë për sulme terroriste me pasoja vdekjeprurëse.
Legjislacioni ka nxitur kritika të ashpra ndërkombëtare, përfshirë edhe nga Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, i cili paralajmëroi se zbatimi i tij do të përbënte krim lufte.
Një ligj i veçantë i jep një gjykate speciale kompetencën për të shqiptuar dënime me vdekje në rastet që lidhen me sulmet e 7 tetorit 2023.
Edhe në rastet e rralla kur gjykatat kanë përjashtuar si prova rrëfimet e marra nën torturë, praktika gjyqësore izraelite u lejon prokurorëve të përdorin informacionet e nxjerra prej tyre për të siguruar dënime.
PCATI tha se, pas përkeqësimit të kushteve të ndalimit pas tetorit 2023, organizatat për të drejtat e njeriut kanë dokumentuar një rritje të ndjeshme të dhunës nga rojet e burgjeve dhe ushtarët izraelitë. Abuzimet përfshijnë rrahje, sulme me qen, goditje elektrike, kërcënime dhe përdhunime.
Të paktën 103 të ndaluar palestinezë kanë vdekur në paraburgimin izraelit që nga 7 tetori 2023. Nga 10 autopsitë e shqyrtuara nga organizata “Mjekët për të Drejtat e Njeriut – Izrael”, pesë kanë treguar shenja të dhunës fizike, ndërsa gjashtë kanë evidentuar neglizhencë mjekësore.
Shërbimi i Burgjeve të Izraelit deklaroi se “të gjithë të burgosurit mbahen në përputhje me ligjin”. Shin Bet-i dhe Ministria e Drejtësisë e Izraelit nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





