Jeffrey Epstein kishte një interes të veçantë për Rusinë, i cili fillimisht lidhej me gratë dhe vajzat e reja ruse, por me kalimin e kohës u shndërrua në një përpjekje më të gjerë për të krijuar lidhje me oligarkët dhe zyrtarët e lartë të Kremlinit, madje edhe për të siguruar një takim me presidentin rus, Vladimir Putin, sipas Reuters.

Në nëntor të vitit 2002, Epstein udhëtoi drejt Rusisë me avionin e tij privat, së bashku me shoqëruesen britanike Ghislaine Maxwell dhe agjentin francez të modeleve, Jean-Luc Brunel. Udhëtimi, sipas dy personave në dijeni të tij, dokumenteve të fluturimeve të publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe një raporti të prokurorëve francezë, kishte nisur nga një dëshirë personale e financierit amerikan.
Epstein dëshironte të vizitonte një dhomë të njohur me ngjyrë vjollcë në Pallatin Aleksandër të Shën Petersburgut, pasi një dizajner i brendshëm i kishte sugjeruar që një pjesë të shtëpisë së tij në Manhattan ta lyente me të njëjtën ngjyrë, transmeton klankosova.tv.
Gjatë një ndalese në Moskë, Epstein, Maxwell dhe Brunel udhëtuan me automjete të blinduara, të shoqëruar nga truproja të armatosur, për të marrë pjesë në një mbrëmje në një restorant me mikun e Maxwellit, Umar Dzhabrailov, një biznesmen i pasur çeçen.
Pas kësaj, sipas personave në dijeni të udhëtimit, Epstein i kërkoi shoferit të kalonte përgjatë rrugës Tverskaya, në mënyrë që të shihte prostitutat që frekuentonin atë zonë gjatë natës.
Të dhënat e fluturimeve kishin konfirmuar më herët se Epstein kishte udhëtuar drejt Rusisë në vitin 2002, në njërën nga vetëm dy vizitat e njohura që ai kishte realizuar në këtë vend. Megjithatë, dëshmitë e reja të siguruara nga Reuters japin për herë të parë më shumë hollësi mbi arsyet e këtij udhëtimi dhe interesimin e tij në rritje për Rusinë.
Sipas gjetjeve të Reuters, interesimi fillestar i Epstein për gratë dhe vajzat e reja ruse u shndërrua gradualisht në përpjekje për të krijuar marrëdhënie me oligarkë dhe zyrtarë të lartë të Kremlinit, si dhe për të siguruar një takim personal me presidentin Vladimir Putin.
Të paktën 17 gra nga ish-Bashkimi Sovjetik në rrjetin e tij
Sipas Reuters, interesimi i hershëm i Epstein për Rusinë kishte karakter kryesisht shfrytëzues dhe lidhej me rekrutimin e grave dhe vajzave të mitura për në Shtetet e Bashkuara, përmes rrjeteve të modelimit dhe premtimeve për mundësi të reja.
Reuters ka identifikuar të paktën 17 gra nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, të cilat u përfshinë në rrjetin e trafikimit seksual të Epstein.
Në mesin e tyre janë edhe tri gra nga qindra persona që kanë kërkuar drejtësi për abuzimin dhe shfrytëzimin e përjetuar nga financieri amerikan.
Rasti Epstein vazhdon të ngrejë pikëpyetje të shumta mbi rrjetin e tij të kontakteve, ndikimin e figurave të fuqishme dhe lidhjet ndërkombëtare që ai kishte krijuar ndër vite.





