Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë ekspozuar në një konferencë për media 62 pako me substancë të dyshuar heroinë, të sekuestruara gjatë operacionit të 3 nëntorit në Ferizaj dhe Prishtinë. Pakot peshonin gjithsej 37 kilogramë e 332 gramë, ndërsa vlera e tyre në tregun e paligjshëm vlerësohet në rreth 550 mijë euro.

Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht emrat e pesë të dyshuarve të arrestuar gjatë operacionit antidrogë në Ferizaj dhe Prishtinë. Ata janë Iskender Sale (43), Faton Sopa (67), Ali Cesuruglou (50), Veton Sopa (36) dhe Agron Elezi (55).
Lexo raportimin ekskluziv të Sinjalit
Sipas burimeve të Sinjalit, hetuesit dyshojnë se ngarkesa ishte transportuar nga Azia në Kosovë. Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrugën e transportit, destinacionin e ngarkesës dhe rolin e secilit të dyshuar.
Gjatë kontrolleve në pesë lokacione, hetuesit sekuestruan edhe 5.300 euro dhe 100 dollarë në para të gatshme, një veturë, dhjetë telefona, një pajisje për regjistrimin e pamjeve të kamerave, 15 fishekë dhe një mjet prerës.
Pesë të arrestuarit janë ndaluar me vendim të Prokurorisë së Shtetit. Ata dyshohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, si dhe për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.
Operacioni u zhvillua nga njësia e antidrogës e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Personat e dyshuar prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




