Porsche po zgjeron funksionalitetin e kamerës së saj për vetura, duke e pajisur për herë të parë edhe me mundësinë e regjistrimit të asaj që ndodh brenda kabinës, përveç pamjes së rrugës. Pajisja e re, e quajtur Dashcam Gen. 2, mund të porositet përmes platformës Porsche Vehicle Accessories Finder dhe në qendrat zyrtare të markës.

Modeli i ri zëvendëson kamerën e mëparshme të Porsche-s dhe vjen me një sistem me disa kamera, i cili regjistron automatikisht ngjarjet gjatë vozitjes dhe kur vetura është e parkuar. Regjistrimi aktivizohet nga sensori G dhe radarët, duke eliminuar nevojën që shoferi ta nisë manualisht kamerën ose të kërkojë mes orëve të tëra të incizimeve, transmeton Telegrafi.
Pajisja është e disponueshme për disa modele të gamës së Porsche-s. Georg Kuhn, drejtor i zhvillimit të produkteve për aksesorë në kompani, tha se kamera e re “kombinon integrimin diskret me teknologjinë inteligjente të regjistrimit”. Sipas tij, rezultati është një aksesor modern që përshtatet me veturat Porsche si nga ana funksionale, ashtu edhe nga ajo estetike.
Kamera montohet në pjesën qendrore, poshtë pasqyrës së brendshme, në mënyrë që të mos pengojë fushëpamjen e shoferit. Ajo regjistron në rezolucion QHD me teknologjinë HDR, ndërsa filtri i integruar polarizues redukton reflektimet në xhama. Kjo duhet të ndihmojë në ruajtjen e qartësisë së pamjeve gjatë natës ose kur rrezet e diellit bien drejtpërdrejt mbi xhamin e përparmë.
Risia kryesore është kamera e brendshme, e cila shfaqet për herë të parë në gamën e kamerave të Porsche-s. Ajo regjistron me rezolucion 1,440 x 1,440 pikselë, me 30 kuadro në sekondë dhe ka kënd shikimi prej 210 gradësh, duke mbuluar një hapësirë të gjerë si horizontalisht, ashtu edhe vertikalisht. Kjo i mundëson të regjistrojë pothuajse të gjithë kabinën në një kuadër të vetëm.
Modaliteti i parkimit aktivizohet rreth një minutë pasi fiket motori. Nëse vetura pëson një goditje ose sensorët e radarit zbulojnë lëvizje pranë saj, sistemi ruan automatikisht një video prej 20 sekondash. Regjistrimit i bashkëngjiten edhe të dhënat GPS, për të shënuar vendndodhjen e veturës në momentin e aktivizimit.
Pamjet ruhen në një kartë microSD me kapacitet 64 GB, e cila përfshihet në paketim. Kapaciteti mund të zgjerohet deri në 512 GB, për përdoruesit që dëshirojnë më shumë hapësirë para se regjistrimet e vjetra të mbishkruhen.
Menaxhimi i videove dhe cilësimeve bëhet përmes aplikacionit My Porsche. Përmes tij, pronarët mund t’i shikojnë edhe regjistrimet e shënuara si ngjarje të rëndësishme, pa pasur nevojë të kërkojnë manualisht në të gjitha pamjet.
Dashcam Gen. 2 është kompatibile me modelet 718, 911, Taycan, Panamera, Macan dhe Cayenne. Përputhshmëria përfshin edhe Macan Electric nga viti i modelit 2024 dhe Cayenne Electric nga viti i modelit 2026. Megjithatë, vetura duhet të jetë e pajisur paraprakisht me opsionin e përgatitjes për kamerë, të identifikuar me kodin QK3.
Numri i kamerave që mund të instalohen varet nga tipi i karrocerisë. Modelet Cabriolet dhe Targa pajisen vetëm me kamerën e përparme. Ndërsa modelet e tjera mund të përdorin kamera përpara dhe prapa, krahas kamerës së re të brendshme, në varësi të pajisjeve të veturës.
Ekziston edhe një kufizim i rëndësishëm: sipas platformës Ask Porsche, Dashcam Gen. 2 aktualisht nuk funksionon me veturat e pajisura me sistemin e asistencës së vozitjes Mobileye Level 2++. Pronarët e këtyre modeleve duhet të konfirmojnë përputhshmërinë para porosisë.
Instalimi nuk mund të bëhet nga vetë pronari. Ai duhet të kryhet në një qendër zyrtare Porsche, duke përdorur komponentë origjinalë dhe udhëzimet e montimit të prodhuesit.
Kjo e dallon Dashcam Gen. 2 nga shumica e kamerave të tjera të tregut, të cilat pronarët zakonisht i instalojnë vetë. Porsche e ofron pajisjen si një sistem të kontrolluar dhe të mbështetur nga vetë prodhuesi. /Telegrafi/





