Policia në Graz të Austrisë ka marrë 1.200 euro si garanci nga një shofer me origjinë nga Kosova, gjatë kontrolleve të zhvilluara kundër ngasjes së automjeteve nën ndikimin e alkoolit dhe drogës.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Steiermarkut, kontrollet u zhvilluan të dielën, më 1 nëntor 2026, në disa zona të qytetit të Grazit. Ato u organizuan nga Inspektorati i Trafikut Graz 2, me fokus të veçantë në parandalimin e ngasjes nën ndikimin e alkoolit dhe substancave narkotike.
Gjatë këtyre kontrolleve, policia konstatoi disa shkelje dhe ndërmori masa ndaj drejtuesve të automjeteve.
Katër shoferë u vlerësuan të paaftë për të drejtuar automjetin
Sipas policisë, katër drejtues automjetesh, për të cilët kishte dyshime për ndikim të substancave narkotike, u dërguan për kontroll te shërbimi mjekësor policor.
Mjeku kujdestar i vlerësoi të katër si të paaftë për të drejtuar automjetin.
Gjatë kontrolleve u ndal edhe një shofer tjetër, te i cili testi i alkoolit, i kryer me pajisje të kalibruar, tregoi një nivel prej afro 1.5 promilësh.
Në total, policia ua ndaloi vazhdimin e udhëtimit pesë personave, ndërsa përkohësisht ua mori patentë-shoferët tre drejtuesve të automjeteve.
Nga shoferi kosovar u morën 1.200 euro garanci
Në mesin e masave të ndërmarra ishte edhe marrja e një garancie prej 1.200 eurosh nga një shofer nga Kosova.
Mediumi austriak Inside Graz sqaron se kjo shumë shërben si garanci për një procedurë të mundshme administrative.
Policia nuk ka dhënë detaje se për çfarë shkeljeje konkrete u mor kjo shumë nga shoferi kosovar. Po ashtu, njoftimi zyrtar nuk thotë se ai ishte në mesin e personave të konstatuar nën ndikimin e alkoolit apo drogës.
Policia publikon bilancin e kontrolleve
Gjatë aksionit, policia kreu gjithsej 13 teste paraprake të alkoolit. Gjithashtu, u sekuestrua një sasi e vogël kanabisi dhe u iniciua një procedurë sipas Ligjit për Substancat Narkotike.
Një rast tjetër kishte të bënte me një kalimtar, i cili u kishte treguar zyrtarëve policorë gishtin e mesëm. Për këtë gjest fyes, ai u raportua në gjykatën kompetente të rrethit, transmeton Telegrafi.
Sipas bilancit zyrtar, gjatë aksionit u regjistruan nëntë kallëzime në fushën e trafikut, përfshirë katër raste të ngasjes nën ndikimin e substancave narkotike dhe një rast të ngasjes nën ndikimin e alkoolit. U regjistrua edhe një shkelje për nivel të ulët të alkoolit, një rast sipas Ligjit për Substancat Narkotike dhe një kallëzim për fyerje.
Policia konfirmoi gjithashtu katër kontrolle mjekësore për vlerësimin e aftësisë për drejtim, tri marrje të përkohshme të patentë-shoferëve, pesë ndalime të vazhdimit të udhëtimit dhe një rast të marrjes së garancisë prej 1.200 eurosh./Telegrafi/




