Sipas njoftimit të Policisë, kontrollet janë realizuar nga 3 deri më 17 nëntor, në bashkëpunim me inspektorë të disa institucioneve, përfshirë Inspektoratin Qendror të Tregut, Inspektoratin Qendror të Punës dhe Administratën Tatimore të Kosovës.
Gjatë këtij operacioni janë kontrolluar 40 lokale të muzikës live, ku janë hasur 285 persona, prej tyre 223 femra dhe 62 meshkuj. Nga ta, 117 ishin shtetas të Kosovës, ndërsa 168 shtetas të huaj. Tetë lokale janë mbyllur për shkak të shkeljeve administrative.

Ndërkaq, në 62 qendra masazhi janë hasur 120 persona, përfshirë 94 femra dhe 26 meshkuj. Prej tyre, 73 ishin shtetase të Kosovës dhe 47 shtetase të huaja. Për shkelje administrative janë mbyllur edhe shtatë qendra masazhi.
Gjatë planit operativ janë evidentuar edhe katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion” – eskortë, ku janë arrestuar tetë persona: katër meshkuj dhe katër femra.
Policia njofton se për këto raste janë dorëzuar fletëparaqitjet në gjykatë. Të dyshuarve u janë shqiptuar gjoba, ndërsa shtetaseve të huaja, krahas tyre, edhe masa e dëbimit nga Kosova dhe ndalimi i hyrjes në vend për periudha nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Sipas Policisë, gjatë kontrolleve punëtoreve në lokalet e muzikës, qendrat e masazhit dhe eskortat u është dhënë mundësia të deklarohen nëse kanë qenë viktima të ndonjë forme të shfrytëzimit apo trafikimit me qenie njerëzore, por nuk është identifikuar asnjë rast i tillë.
Burimi: RTKLive




